
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë pas dy orësh e gjysëm nga mbledhja që zhvilloi mbrëmjen e sotme me Kolegjin e Kryetarëve.
Gjatë fjalës së tij para mediave, Basha hodhi akuza kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha se ka bërë një koalicion me kryeministrin Edi Rama për të mbajtur në pushtet këtë të fundit.
“Duket qartë se është përvijuar koalicion antivlerash në horizont dhe ka alibi për të mbajtur Ramën në pushtet. Kjo qeveri ka zvogëluar hapësirat për debat publik. PD dhe demokratët do të largojnë këtë qeveri, nëse vendimet i shërbejnë kësaj, do të ecim përpara”,- tha Basha.
Sipas Bashës, nuk mund të mbahen në këmbë pazaret e vjetra, pasi ai lufton për interesat e demokratëve dhe jo atë personale.
“Nuk mund të mbajmë në këmbë pazare të vjetra. Ne luftojmë për interesat e njerëzve dhe jo personale",- tha ai.
I pyetur nga gazetarët mbi vendimin e Gjykatës për vulën e PD-së, Basha tha se ai ndihet demokrat dhe ka përgjegjësi vetëm ndaj personave që po e bëjnë këtë betejë për idealet demokratike, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama ka patur kundërshtar serioz vetëm Bashën.
“Nëse do të dish sesi ndihem, unë ndihem demokrat dhe ne kemi përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që këtë betejë e bëjnë për idealet demokratike. Rama kundërshtar serioz të tij ka pasur vetëm Bashën”,- përfundon lideri demokrat, Basha.
Kujtojmë se pas vendimit të Gjykatës së Apelit për t’i dhënë vulën e PD-së, ish-kryeministrit, Sali Berisha, kreu demokrat, Lulzim Basha thirri dy mbledhje urgjente njëra pas tjetrës.
Mbledhja e parë u zhvillua në orën 17:00 të pasdites me strukturat e PD-së, e cila zgjati për rreth 2 orë.
Në orën 20:00 të mbrëmjes, Basha takoi Kolegjin e Kryetarëve, ku po ashtu zgjati më shumë se 2 orë. Megjithatë, kreu demokrat nuk ka dhënë detaje se çfarë ka diskutuar në këto dy mbledhje.