Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

"Nuk kemi qenë kurrë më afër BE”, Rama: Na takon pjesa e luanit në këtë luftë, por e kemi kaluar më të keqen

Shkruar nga Newsbomb

"Nuk kemi qenë kurrë më afër BE”, Rama: Na takon

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Kryesinë e Kuvendit ministrat dhe deputetët e grupit parlamentar. Gjatë fjalës së tij, ai u ndal te rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Ai tha se pavarësisht mendësisë otomane dhe asaj komuniste, shtetbërja e nxitur nga reformat e ka çuar Shqipërinë në një tjetër nivel. Sipas kreut të shtetit, më e keqja tashmë ka kaluar dhe theksoi se Shqipëria është afër BE, si kurrë më parë.

Dikur nuk i jepnin as statusin e vendit të BE. Por çfarë thotë dokumeni i diagnozës për negociatat me Shqipërinë. Shqipëria e ka ka kaluar më të keqen dhe është futur në një fazë të re. Shqipëria është afër BE dhe nuk ka qenë kurrë më pranë. Dhe këtë nuk e them unë, por e thonë faktet,” tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Kjo fatkeqësi origjinale ishte fakti se shqipëria u vu gjatë, shumë gjatë, nën presionin mbytës të një jete publike të penguar dhe të ndikuar si askund tjetër, në lindjen komuniste nga fryma tribale e një segmenti politik që e mishëroi antikomunizmin, si pjellë të ngjizur nga martesa e bajraktarizmit me enverizmin.

Prandaj edhe lufta kundër korrupsionit ka nisur në fakt siç duhet, frontalisht, me reforma zhbllokuara, të vonuara, të pafillura fare, të paguxuara apo edhe krejt të padëshiruara fare, vetëm atëherë kur me të gjitha të tjerat, nisim edhe përpjekjen tonë për Reformën në Drejtësi.

Prej dhjetë vjetësh kjo nuk është më një luftë arnash, ca atje e ca këtu, ca sot e ca pasnesër, po është  një luftë e gjithanshme për goditjen e sistemit paralel të korrupsionit. Pa asnjë diskutim që kjo luftë deri këtu nuk është zhvilluar as pa gabime, prej të cilave përpiqemi të kuptojmë më shumë; as pa dështime, pas të cilave riorganizohemi me një qasje më të drejtë; as pa zhgënjime, nga të cilat mësojmë se çfarë duhet ndryshuar.

Por që deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak, nuk e them unë. Këtë e thotë vendimi shumë domethënës i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Nuk çelte kurrë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë Bashkimi Europian, nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si dita me natën, krahasimisht me atë që ishte kur nuk i jepnin as statusin e kandidatit për BE, jo më t’i hapnin dritën jeshile të negociatave. 

Këtu llafollogohet e thashethemohet nga mëngjesi në darkë, kanal më kanal e portal më portal për sa keq është Shqipëria, por çfarë thotë dokumenti i diagnozës së nxjerrë nga skanimi që BE-ja i bëri Shqipërisë për nisjen e procesit të negociatave i njohur në gjuhën e Brukselit si procesi Screeening

 Nuk ka dokumente të tjera ndërkombëtare me objektivitet të pakonkurueshëm, si dokumentat e Komisionit Europian, për faktin e thjeshtë sepse janë me dhjetëra e dhjetëra njerëz, në Tiranë e në Bruksel, të cilët punojnë me saktësi kirurgjikale në mbledhjen, leximin, kuptimin e fakteve dhe përshkrimin e detajuar të situatës së një shteti në procesin e integrimit.

E pra ai dokument themelor për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, siç rreshton të gjitha problemet e sfidat që kemi, i rreshton edhe të gjitha arritjet e Shqipërisë të padiskutueshme në luftën kundër korrupsionit, të cilat duan s’duan ata që nuk duan, provojnë një të vërtetë kokëfortë.

Shqipëria e ka kaluar më të keqen dhe ka hyrë në një fazë të re të rrugëkalimit të saj drejt një shoqërie të hapur me demokraci funksionale. Nuk është opinion im, po është fakt i mbështetur në të dhëna objektive që Shqipëria nuk ke qenë kurrë më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian, sepse nuk ka qenë asnjëherë më parë më shumë shtet demokratik dhe europian se sa sot.

 Por pa dyshimin më të vogël, po kaq i vërtetë është edhe fakti se korrupsioni nuk është zmbrapsur deri aty ku nuk mund të jetë më një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë. E pikërisht për këtë arsye, në këtë fazë të re ku është Shqipëria, lufta kundër korrupsionit duhet vazhduar kudo, përditë, duke i shtrënguar sot më shumë se kurrë, radhët e të treja pushteteve të  pavarura kushtetuese të Republikës sonë, në një front të vetëm.

Kjo do të thotë një përpjekje e re, e madhe, e përbashkët, e të gjitha institucioneve dhe forcave aktive të shoqërisë, për një fuqizim të mëtejshëm të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por edhe për një harmonizim të domosdoshëm të punës së tyre në funksion të shtetit shqiptar përballë derës së BE. Çdo aktor politik, institucional, shoqëror duhet ta kuptojë këtë nevojë, si një domosdoshmëri jetike për ta fituar luftën me korrupsionin dhe për të kontribuar për një rritje të menjëhershme të presionit reformues përgjatë gjithë harkut institucional të vendit.

Duhen përafruar më shpejt ligjet tona me BE-në. Duhet nxitur e mbështetur më shumë modernizimi demokratik dhe inovacioni teknologjik i gjithë sistemit të qeverisjes së të treja pushteteve. Duhet rritur më shumë transparenca, llogaridhënia, kontrolli, duke harmonizuar shumë më mirë veprimtarinë e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese, për të forcuar më tej sundimin e ligjit dhe neutralizuar ofertën e paligjshme të korrupsionit.

Kjo do të thotë gjithashtu që të gjithë ata që duhet të bëjnë pjesën e tyre të luftës, sipas peshës e pozicionit në këtë front për Shqipërinë anëtare të BE, duhet të marrin përsipër edhe kostot e saj, sepse përndryshe lufta frontale me korrupsionin mund të vazhdojë më gjatë se sa mund, duhet dhe jam i bindur, do të mbyllet me anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. 

E natyrisht, neve, Partisë Socialiste, na takon pjesa e luanit në këtë luftë, qoftë për arritjet e pranuara botërisht e po njësoj, për mosarritjet po botërisht të njohura në rrugën e këtij progresi tërësor të shtetit, jo thjeshtë të qeverisjes.  Por po ashtu, na takon edhe pjesa më e madhe kostove të pashmangshme politike, të cilat na vijnë në daç nga faturat e të korruptuarve brenda nesh, në daç nga kusuret e mëdha të baltës që hidhet drejt nesh.

Ky është realiteti dhe të vërtetat e këtij realiteti nuk mund t’i ndajmë, duke hapur gojën për ato që na pëlqejnë e duke mbyllur sytë e veshët për ato që nuk na pëlqejnë, po duhet t’i marrim të gjitha bashkë, siç janë, e t’i përdorim si motive force, angazhimi, besimi dhe burime reflektimi, mësimi, vetëkorrigjimi, nëse  duam ta afrojmë, jo ta largojmë majën e lartë, ku duam e do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë 2030. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese