Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka ardhur mbrëmjen e kësaj të mërkure me një intervistë për emisionin “Opinion”.
Përballë moderatorit të këtij emisionit, Blendi Fevziu, zonja Rama u ndal te libri autobiografik “Të vërtetat që mbartim”, i zv. presidentes amerikane, Kamala Harris, parathënien e të cilit e ka shkruar vetë bashkëshortja e kryeministrit shqiptar.
Zonja Rama tha se ftesën për të shkruar paradhënien e këtij libri e mori nga vetë botuesja dhe ishte vetë libri ai që e inspiroi.
“Ftesën mua ma bëri në fakt botuesja dhe ajo që ndodhi ishte që vetë libri më inspiroi mjaftueshmërisht për ta lexuar. Unë jam një njeri që merrem çdo ditë me studime, ajo që mund të them është që për Zaon meqë ka ardhur vonë në jetën time, por është edhe ndryshimi i brezave dhe është fëmija i jonë, i Edit ndërkohë që Edi është kryeministër, herë pas here më kuriozon mënyra se çfarë do të thotë të rrisësh një fëmijë që është i një personi publik. Herë pas here mbaj shënime”, tha Rama përballë gazetarit Blendi Fevziu.
Sipas Ramës, Harris sjell në këtë libër një rrugëtim të një gruaje në karrierë. Duke evidentuar më pas se ajo çfarë i ka bërë përshtypje ka qenë zinxhiri i jetës së Kamala Harris, nga fëmijëria deri te bota e politikës.
“Në momentin që thashë po e kam lexuar me vëmendje të posaçme, ajo që mund të them është që libri nuk është shkruar nga zv,Presidentja e SHBA-ve, por nga Kamala Harris në vitin 2018. Libri i një gruaje në karrierë! Rasti ishte i ndryshëm, sepse ajo ishte senatore në momentin që libri u botua. Ajo që mua më ka bërë shumë përshtypje ka qenë fakti, një zinxhir i gjatë që nga momenti kur ishte fëmijë, kur zgjodhi të bëhej juriste, prokurore e përgjithshme, senatore….Kur futesh nga një terren në tjetrin, nga prokurore më pas futesh në politikë, është e jashtëzakonshme te Kamala Harris”, tha Rama ndër të tjera.
