Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka informuar drejtuesit e partive politike se votimi elektronik mund të bëhet vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit. Pavarësisht se ishte kërkuar nga këto forca politike votim elektronik në pesë qarqe, KQZ thotë se kjo është e pamundur.
"Në vijim të komunikimeve të mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me ju mbi mundësinë e zhvillimit të votimin elektronik në 5 qarqe, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, më lejoni t'ju sjellë në vëmendje se kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet.
Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2025 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2025 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh", thuhet në deklaratë.
KQZ sqaron se në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan, ndaj rekomandon që procesi të shtrihet sërish në këtë qark, sepse votuesit kanë eksperiencë.
Ilirjan Celibashi rekomandon zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit.
"Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik.
Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë", vijon deklarata.
Ai thotë se numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon vlerësimin e partive politike për këtë propozim.
