Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, ka publikuar mbrëmjen e sotme një tjetër denoncim anonim që është bërë në Prokurorinë e Posaçme për Erion Veliaj, duke pretenduar se e gjithë narrativa e hetimit është ngritur mbi persona që nuk ekzistojnë.
“Qenka një informacion nga Nasta Pëllumbi, e cila nuk ekziston”, u shpreh Ndreca në emisionin "Top Story", duke theksuar se mes denoncuesve nuk është vetëm Nesti Angoni, edhe ky person inekzistent.
Siç kuptohet edhe nga një pjesëz e fragmentarizuar e dokumentit, presoni që pretendon se quhet Nasta Pëllumbi, thotë se bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj është e përfshirë në veprime të paligjshme.
“Mendojmë se, gjatë hetimit të thelluar të këtij fakti penal të paraqitur në këtë informacion, kemi bindjen e plotë se do të dalin në dritë të tjera episode të ngjashme si kjo që lidhen me veprimet e paligjshme të znj. Ajola Xoxa. Ju urojmë Suksese! Me respekt, Nasta Pëllumbi Lëvizja Qytetare Antikorrupsion", thuhet në shkresë.
Ajo është dërguar në Prokurorinë e Posaçme dhe avokati e publiko si një ndër provat që SPAK ka kundër Erion Veliaj. Përmes këtij dokumenti, avokati Plarent Ndreca u shpreh se hetimi ndaj kryebashkiakut ka shkelje të rënda.
“Ajo që mund të them, mënyra si është bërë hetimi, shkeljet e rënda, si është humbur një fazë e procesit gjyqësor pa u njohur me dosjen. Është bërë një proces pa i dhënë dosjen. Ka humbur një fazë proces", ka thënë ai.
Ndërkohë, analisti Arjan Curri shkoi më tej me provokimin e tij, duke deklaruar se personin anonim i identifikuar si Nasta Pëllumbi, është një person brenda Partisë Socialiste.
