
Mirel Mërtiri, biznesmeni në kërkim ndërkombëtar dhe i cilësuari si “truri” i Inceneratorëve ka paditur deputeten e Partisë Demokratike, Ina Zhupën.
Ky fakt është bërë me dije nga vetë demokratja e cila në llogarinë e saj në “Facebook”, ka publikuar fletë-thirrjen e saj, duke njoftuar se Mërtiri e ka çuar në Gjykatë pasi ky i fundit pretendon se ka pësuar dëm psikologjik nga deklaratat e deputetes të cilat i quan “shpifje”sa i përket Inceneratorit të Tiranës.
“Uroj që nesër të shikojmë Mirel Mërtirin që vjen nga arratia për të dëshmuar mbi dëmin psikologjik që i kanë berë deklaratat e mia nga incenetori i Tiranës që nuk ekziston”, shkruan Zhupa, teksa në vijim ngre dhe një pyetje se përse Mërtiri nuk e ka paditur SPAK dhe GJKKO, pasi akuzat që kanë ngritur ata i ka thënë dhe ajo.
Seanca do zhvillohet ditën e sotme, ndërkohë demokratja ka njoftuar se në orën 10:45 do të ketë dhe një prononcim për gazetarët nga Gjykata e Tiranës.
“Uroj që nesër të shikojmë Mirel Mërtirin që vjen nga arratia për të dëshmuar mbi dëmin psikologjik që i kanë berë deklaratat e mia nga incenetori i Tiranës që nuk ekziston.
Më ka paditur për shpifje por jam kurioze pse nuk ka paditur SPAK dhe GJKKO se akuzat që ngrenë ata, kam thënë edhe unë.
Në orën 10:45 do kem një prononcim për gazetarët nga gjykata e Tiranës (pranë ish ekspozita) në lidhje me akuzat dhe gjyqin. Betejat për interesin publik nuk ndalen nga asgjë”, njoftoi ditën e djeshme Zhupa.