Kryeministri Edi Rama e konsideron një gabim shumë të madh të bërë nga Erion Veliaj, sulmin që ky i fundit u bëri disa gazetarëve dhe analistëve të njohur në Shqipëri, pasi doli nga dëshmia e tij në Prokurorinë e Posaçme ku u thirr për inceneratorin e Tiranës.
"Mesazhet për Veliajn i kam të thjeshta fare, një tekst, telefonat një mesazh, një takim", tha Rama, kur u pyet nga Blendi Fevziu nëse fjalimi i fortë që ai mbajti para socialistëve i drejtohej veçanërisht kryebashkiakut të Tiranës.
Pjesë nga intervista e Edi Ramës në emisionin "Opinion", me Blendi Fevziun
Fevziu: A ishte fjalimi juaj dhe adresimi juaj një mesazh për Erion Veliajn?
Rama: Mesazhet për Veliajn i kam të thjeshta fare, një tekst, telefonat një mesazh, një takim. Që unë nuk mbroj..
Fevziu: Ju thatë që mbroni vetëm Zaon se të tjerët asnjë.
Rama: O zotëri unë këtë e kam thënë 1 mijë herë, jo po prapë se shiko. Unë jam ndryshe Fezo. Ky është thelbi dhe ju nuk doni ta pranoni, ok mos e pranoni. Jam ndryshe mor shok, jam ndryshe. Unë ato gjëra që them i mendoj.
Fevziu: Meqë kishe vetëm një mesazh të shkurtër, një tekst apo një telefonat me Veliajn, a i the gjë për qëndrimin që ai mbajti duke akuzuar një sërë gazetarësh pasi doli nga SPAK?
Rama: Po, i thash. Gabim shumë i madh.
Fevziu: Pse?
Rama: Sepse unë personalisht kam patuar shumë herë reagime ndaj medias. Por, nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse këto sulme nuk janë sulme të denja për këdo qoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shënoi një akt të paprecedentë ditë më parë, kur publikoi fotografitë e disa gazetarëve dhe analistëve të njohur në Shqipëri duke i konsideruar ata armiq. Në listë, ishin të gjithë ata njerëz të medias që kanë kritikuar skandalet dhe korrupsionin në Bashkinë e Tiranës, pas operacioneve të fundit nga SPAK.
Fotografitë e gazetarëve dhe analistëve u shpërndan në një grup në "Whats App" të institucionit që drejton Erion Veliaj, dhe më pas rrodhi në media po nga vetë anëtarët që janë pjesë e këtij grupi.
