Kryeministri Edi Rama është i bindur se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2030. Sipas tij, vendi ynë do të jetë gati pas rreth 6 vitesh që të ulet si i barabartë me vendet e tjera anëtare në tryezën e BE.
Në fjalën e tij në Konferencën e Ambasadorëve që nisi sot punimet në Tiranë, kryeministri tha se ambasadorët e vendit tonë duhet të ngrihen në një nivel të ri përfaqësimi, për të bërë të mundur rrugën e vështirë të anëtarësimit.
"E dimë shumë mirë që të gjithë 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për t’u ulur në tryezën e BE si anëtar të barabartë të familjes europiane. Kjo është ana jonë, kjo është detyra jonë.
Dimë shumë mirë që ulja në atë tryezë sa ç‘është një proces i përmbushjes së të gjitha kritereve dhe i përmbylljes së të gjitha detyrave, është dhe një proces vendimmarrjeje politike, por çka na takon ne, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin teknik është 100% e qartë, ne duhet të jemi gati.
Dhe kjo është shumë më e lehtë ta thuash, por shumë më e vështirë ta bësh sepse kërkon që gjithçka që kemi bërë deri këtu dhe deri tani ta konsiderojmë një stad prej nga mund dhe duhet me patjetër të ngjitemi në një nivel të ri.
E për këtë arsye duhet me patjetër që dhe trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri dhe ngjitja në një nivel të ri sot unë besoj është plotësisht e mundur, duke shfrytëzuar një eksperiencë shumë të pasur që ka ky komunitet, duke shfrytëzuar shembujt e shkëlqyer që janë përqafueses të këtij komuniteti dhe patjetër duke shfrytëzuar edhe momentin transformues të Shqipërisë", tha Edi Rama.
“Tirana Diplo 2024” nisi sot punimet në Tiranë, nën organizimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe me pjesëmarrjen e Ambasadorëve dhe Konsujve të Përgjithshëm të Shqipërisë nëpër botë, - për të diskutuar gjerësisht mbi angazhimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.