Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Edi Rama ballafaqon të vetët me "të vërtetat e hidhura": Korrupsioni ka pllakosur në qeveri dhe Partinë Socialiste!

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama ballafaqon të vetët me "të vërtetat e
Edi Rama flet me deputetet dhe kabinetin qeverises

Kryeministri Edi Rama është duke u ballafaquar me të vetët për qeverisjen, korrupsionin dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri. Që në nisje të fjalës mes deputetët dhe anëtarët e kabinetit, ai tha se do të flasë për të vërteta të ëmbla dhe të hidhura.

Ai bëri një përshkrim të gjendjes në të cilën ndodhej Shqipëria para se socialistët të merrnin pushtetin, duke prekur pothuajse çdo sferë të shtetit dhe shoqërisë deri në 2013.

"Sot, pasqyra është krejt tjetër. Kush e diskuton këtë fakt, ose është pjesë e pandashme e asaj tabloje të vjetër, ose nuk e di se çfarë flet. Nuk është qëllimi im të bëj dallimin mes forcës tonë qeverisëse dhe forcave të tjera keq-qeverisëse sepse këtë dallim do e bëjë populli", u shpreh Edi Rama.

Kryeministri u ndal veçanërisht te sistemi i drejtësisë, një flamur i Partisë Socialiste në më shumë se një dekadë qeverisje, dhe theksoi se nëse më parë askush nga pushteti politik nuk ishte gjykuar, sot është krejt e kundërta.

"Por të jemi të qartë, gjurma jonë në histori do të varet nga sa më tej akoma, sot e më tutje do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres. Kur sollëm më parë tablonë e frikshme të 2013, nuk desha të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin. Aspak", vijoi ai.

Edi Rama gjatë fjalës së tij elaboroi faktin se korrupsioni ka hyrë në çdo qelizë të shtetit, duke përfshirë kabinetin e tij, bashkitë, Partinë Socialiste dhe çdo institucion tjetër.

"Forca jonë qeverisëse nuk ka fituar imunitet nga korrupsioni. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit. Shteti ka shumë rrugë për të bërë sistemin e mbrojtjes nga korrupsioni. Këtu nuk bën përjashtim askush", tha ai.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhjeje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, dëshiroj shumë edhe vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013 kur morëm detyrën të rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave të cilët klithnin ditë-natë të izoluar nga penxheret mes pallateve po bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar, mbështetur pa kursim në gjithë këto vite.

Unë sot nuk do të ndalem as tek gjysmë të vërtetat, të cilat, e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, as tek shpifjet, akuzat e rreme apo fabrikimet djallëzore.

Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë.

Qofshin të vërteta të ëmbla për të cilat s’mund të mos jemi krenarë, qofshin të vërteta të hidhura për të cilat nuk ka sesi të na vijë mirë, po s’ka më mirë se sa t’i shohim në sy, ashtu siç janë.

Të nderuar deputetë dhe deputete, ministre dhe ministra!

Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë, Shqipëria ishte në pikën e saj më të ulët, pas vitit të zi 1997. Rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambylla me shtetin; vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet dhe fshat dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan, ishte siguri, siguri, siguri.

Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikëpjekje dhe kontakt të qytetarit me shtetin; në çdo sportel shërbimi dhe udhëkryq trafiku, qytetarët mbanin radha të gjata duke dhënë ryshfet edhe për të dhënë një certifikatë lindjeje apo paguar para për të kaluar policin e radhës.

Në çdo ndërveprim mes biznesit dhe shtetit, ryshfeti ishte i treti i vërteti qoftë kur shteti shfaqej në derën e shitësit të bulmetit për një kontroll, qoftë kur biznesi shfaqej në derën e shteti për një prokurim publik.

Spitalet nuk kishin më ilaçe, por vetëm receta për pacientët që t’i blinin ato ku të mundeshin; familjarët e tyre vinin në spital me çarçafë dhe batanije nga shtëpia në krahë; qendrat shëndetësore  ishin si godina të braktisura pas ikjes së një ushtrie pushtuese; edhe kur e gjeje rrallë një infermier në karrige, nuk gjeje një karrige tjetër e lëre pastaj shtrat apo mjete mjekësore për një shërbim normal.

Hyrja në universitete ishte si në dyert e autobusëve të Unazës në vitet ’90, ku rinia shtyhej për ta çarë me para, me parti dhe me krushqi rrugën drejt derës së fakultetit të dëshiruar.

Punësimet në çdo institucion, në çdo komisariat policie, në çdo ambulancë, në çdo shkollë bëheshin me urdhër partie, me ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që s’kishin parti apo lidhje me deputetin e me ndonjë bajraktar lokal, vetëm me lekë.

Prokuroritë dhe Gjykatat ishin pazare të gjësë së gjallë ku shihte rrushi rrushin e piqej, teksa më i dobëti gjithmonë digjej. Prokurorët dhe gjykatësit me integritet jetonin në rrethimin e llumit të mbuluar me toga të zeza dhe të fryrë nga zullumi i ryshfeteve të majme, të agresorëve të ligjit ndaj njerëzve pa mbrojtje dhe ndaj pronave të shtetit dhe të qytetarëve. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin e merrnin favore të paligjshme, fare të patrazuar nga syri qorr dhe veshi shurdh i ligjit, duke bërë prokopi dhe vënë katandi hipur mbi kurrizin e popullit që e përkëdhelnin me fjalë dhe e përdhunonin me vepra.

Protestat kishin mbetur vetëm punë e Partisë Socialiste, askush nuk guxonte të dilte të protestonte kundër qeverisë pa një flamur partie si mburojë. Kush rrallë tek e provonte ndryshe merrte shkopin e policit kokës edhe po të ishte mbi një karroce invalidi.

Kryeministria ishte kthyer në përmbajtje dhe në formë si ato godinat e sherifëve në provincat e Amerikës së viteve ’30, rrethuar me një gardh të ndryshkur hekuri, e nxirë nga papastërtia e mbledhur me muret e shkallëve të saj në vite, e mbuluar ditë-natë nga zymtia e shembujve të forcës dhe e zhveshur nga çdo forcë shembulli.

Protestuesit e vrarë me pushkën e shtetit nga dritaret e asaj godine, trajtoheshin haptazi nga i pari i qeverisë si kriminelë që kishin marrë thjesht dënimin e merituar, ndërsa për drejtësinë, vrasjet e lemerishme shtetërore ishin gabime teknike dhe faje periferike të shërbëtorëve të nënshtruar pushtetit politik.

Imazhi i Shqipërisë ishte i mos o Zotshëm. Lajmet në shtypin europian për Shqipërinë ishin sa të rralla aq të zeza. Edhe kur flitej për turizëm shkaku ishte sa shumë plehra kishte Shqipëria. Vizitat zyrtare të nivelit të lartë në Tiranë kishin ndalur prej disa vitesh; shqiptarët në Europë nuk guxonin të përmendin emrin e vendit të tyre.

Besimi i  bashkësisë europiane se në Shqipëri mund të kishte drejtësi, ishte zero; zero ishte dhe besimi i shqiptarëve.

Pandëshkueshmëria ishte bërë emri i dytë i Shqipërisë në sytë e çdo partneri të saj dhe në rreshtat e çdo raportimi serioz ndërkombëtar. Rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE ishte bllokuar nga mali i mosbesimit të gjithanshëm. Për ata që 10 vjet më parë ishin fëmijë dhe sot janë të rinj, 20 apo 25 vjeçarë, kjo tablo mund të duket si pjellë e imagjinatës time, por çdo familje shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë, kjo ishte pasqyra e realitetit të hidhur të qeverisjes, korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Shqipërinë e vetëm një dekade më parë.

Sot pasqyra është pa diskutim krejt tjetër. Kush e diskuton këtë fakt ose është pjesë e pandashme e autorësisë së asaj tabloje të vjetër ose nuk di çfarë flet nga padija nga ligësia apo nga të dyja bashkë.

Padija dhe ligësia janë sot përbërësit kryesore të karburantit të debateve politike dhe mediatike. Kur linçimi i tjetrit dhe shpërfillja përbuzëse e fakteve të pafavorshme për qëllime të linçuesve, e kanë bërë të vërtetën si një gjysma gjel, shëmbëlltyrë të gënjeshtrës më të madhe.

Por nuk është qëllimi im të bëj sot këtu dallimin mes forcës sonë qeverisëse dhe forcave të vjetra keq qeverisëse sepse më mjafton që këtë dallim si dita me natën e bën dhe do ta bëjë përsëri me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Vendosja përballë e dy tablove të Shqipërisë me një dekadë në mes të tyre ka rëndësi vetëm për ta parë sa më objektivisht kontekstin e sotëm të përpjekjes sonë si dhe për ta kuptuar sa më drejtë nevojën e një dallge të re reformimi në funksion të procesit të shtet bërjes europiane të vendit tonë.

Kolegë dhe kolege, kjo forcë qeverisëse, Partia Socialiste e Shqipërisë është prej një dekade në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real dhe të respektuar botërisht. Ku mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit të arrijnë nivelin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Askush më parë, asnjë forcë me peshë në hapësirën e pushtetit politik qysh nga shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Otomane dhe ngritja e flamurit të pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912 nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga vetë pushteti politik. Askush dhe asnjë!

Prandaj dhe asnjëherë, askush që ka qenë pjesë përbërëse apo zgjatimi i pushtetit politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh sot dhe krenarinë për ardhjen e kësaj dite vetëm falë kësaj lufte vendimtare për Shqipërinë që ne, Partia Socialiste e kemi hapur dhe po e zhvillojmë prej 10 vitesh, nuk na e mohon dhe as na e merr dot askush.

Pa forcën udhëheqëse, guximin dhe vendosmërinë e Partisë Socialiste në këto 10 vjet, sot nuk do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve tek drejtësia. Nuk do ta kishte Shqipëria e sotme asnjë shans që ta shihte atë që po sheh, rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë. Monumentit të kulturës së pandëshkueshmërisë, por të jemi të qartë, gjurma jonë në histori nuk do të varet vetëm nga kthesa e ndryshimit tërësor ku e kemi futur shtetit shqiptar, por do të varet nga sa më tej akoma, sot e më tutje ne, Partia Socialiste do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm në sytë e të sotmes, por assesi të mjaftueshëm për sytë e te nesërmen.

Kur i solla më parë tablonë e frikshme të vitit 2013, nuk desha as të them, as të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin, aspak! Ne vetëm jemi futur dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë, reale, të stërngatërruar dhe të stërmundimshme me korrupsionin.

Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Një fakt shumë kuptimplotë. Pikërisht se e kemi me të vërtetë, jo me gjasme këtë luftë, ne nuk e kemi mbajtur lëkuren tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re të cilën shteti shqiptar se ka pasur kurrë, Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit, por edhe ia kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet të pa gjendur ndonjëherë më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe të goditjeve të asaj gryke zjarri. Le të thotë c’të dojë kushdo që nuk do ta pranojë, por sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik.

Jo vetëm kaq, por ne me forcën e shumicës sonë qeverisëse i kemi hapur rrugë dhe furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur drejtësisë në dispozicion jo vetëm një Kushtetutë dhe një hapësirë ligjore të qepur enkas për këtë luftë. Kushtetuta e BE nuk ka trupa speciale, nuk ka trupa ndërkombëtare monitorimi siç ka në Kushtetutën tonë, por edhe një buxhet pagash që si askush në Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar.

Drejtuesit e organeve speciale të drejtësisë qëndrojnë në majtë të piramidës të pagave të këtij shteti më lartë sesa maja më e lartë e hierarkisë shtetërore të çdo shteti, Presidenti i Republikës. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar në të gjithë piramidën e shtetit tonë, përbën pa diskutim një anomali absolute, por ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë dhe për asnjë arsye tjetër në botë përveç fuqizimit të përpjekjes anti korrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë. E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur ende si një fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar ende imunitetin ndaj korrupsionit. Përkundrazi, edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në këtë vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet akoma shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese