Ish-kryeministri Sali Berisha ka përmbyllur protestën e gjashtë kombëtare nga ambientet e selisë blu. Pas tensioneve të regjistruara në terren, ku u përdorën molotovë dhe gazlotsjellës, Berisha u shfaq në shkallët e selisë së Partisë Demokratike duke falenderuar mbështetësit për pjesëmarrjen dhe qëndresën e treguar.
“Një mirënjohje të pakufijshme me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj. Nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë. Por njëkohësisht i dhatë dhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë edhe më e shkëlqyer dhe se për Edi Ramën nuk do ketë më strofull, vrimë miu ku do futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do t’i japë atij ndëshkimin që meriton. Keni qenë të shkëlqyer në këtë, nuk e di domethënë, si e nderuat kaq shumë sot 22 marsin, e tmerruat Edvin Kristaq Ramën”, tha Berisha.
Gjatë protestës, ish-kryeministri pësoi lëndime si pasojë e gazit lotsjellës dhe sprayt me piper të hedhur në drejtim të tij, por pavarësisht kësaj, ai vijoi komunikimin me mbështetësit, duke theksuar se aksioni opozitar do të vazhdojë.
Çfarë ndodhi sot:
-Protesta e Partisë Demokratike u zhvillua për rreth dy orë, e shoqëruar me tensione, përplasje dhe përdorim molotovësh ndaj institucioneve dhe forcave të rendit. Tubimi nuk pati fjalime dhe nuk solli risi, ndërsa kulmoi me përplasje mes militantëve dhe policisë pranë Kuvendit.
-Protesta nisi në orën 18:45. Kreu i PD-së, Sali Berisha, së bashku me mbështetësit marshuan nga selia blu drejt Kryeministrisë. Këtë herë, flamujt e SHBA-së ishin zëvendësuar me flamuj të BE-së dhe Gjermanisë, në një simbolikë që lidhet me akuzat ndaj rolit të Gjermanisë në procesin integrues të Shqipërisë.
-Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë. Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.
-Më pas, marshimi vijoi drejt Bashkisë së Tiranës dhe ministrive të Brendshme dhe Infrastrukturës, ku u përsërit i njëjti skenar përplasjesh dhe hedhje mjetesh piroteknike.
-Tensionet u zhvendosën më tej drejt selisë së Partisë Socialiste, ku u hodhën sërish molotovë, duke shkaktuar djegien e një automjeti. Policia ndërhyri përsëri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
-Protestuesit marshuan përmes zonës së ish-Bllokut, por kësaj here nuk u ndalën pranë Vilës 31, ndryshe nga protesta e kaluar.
-Përplasjet vijuan pranë AKSHI-t, ku policia bllokoi sërish avancimin e protestuesve duke përdorur gaz lotsjellës. Gjatë këtyre incidenteve, u lëndua edhe Sali Berisha, i cili u shfaq më pas me shenja në fytyrë si pasojë e spërkatjes me spray.
-Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Berisha rifilloi marshimin, i cili përfundoi në shkallët e selisë blu. Ai falënderoi mbështetësit dhe paralajmëroi protestën e radhës.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Një mirënjohje të pakufijshme me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj. Nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë. Por njëkohësisht i dhatë dhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë edhe më e shkëlqyer dhe se për Edi Ramën nuk do ketë më strofull, vrimë miu ku do futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do t’i japë atij ndëshkimin që meriton.
Keni qenë të shkëlqyer në këtë, nuk e di domethënë, si e nderuat kaq shumë sot 22 marsin, e tmerruat Edvin Kristaq Ramën, prandaj dhe ne le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët kanë vjedhur dhe vjedhin si hijena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë. Përdorin ligjet dhe mandatin e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do të përfundojnë në Lanë, në koshat e plehrave të historisë. E patë vetë ju, si e kishte rrethuar në katër anët me policë, po ka rrethim që na pengon ne? Kurrë më kurrë. Prandaj Edi Rama, jep dorëheqjen sa më shpejt, jep dorëheqjen se do të tërhiqesh ashtu siç nuk ta pret mendja.
Ajo që bëri Edi Rama ishte një akt i shëmtuar, por ajo sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësorë për ta hedhur sa më shpejt në Lanë atë dhe regjimin. Ne jemi në një betejë dhe në këtë betejë nuk kemi të ndalur. Sot ne fituam një betejë. Ne sot zhvilluam betejën më të bukur në tërë ekzistencën tonë, por më madhështore do të jetë ajo që vjen. Shumë shpejt do ta njoftojmë.
