Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka pranuar kërkesën e Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, për të ndryshuar masat e sigurisë. Ai është lënë në qeli, ndërsa Kryemadhi do të vazhdojë të jetë në "Detyrim paraqitje".
Duke folur për gazetarët jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme, Monika Kryemadhi u shpreh e zhgënjyer nga ai që e quajti profesionalizëm i dobët i prokurorëve, të cilët i krahasojë me studentët e Fakultetit Juridik.
"Ajo që është e re e gjithë kësaj gjëje është që prokurorët ishin totalisht të papërgatitur përballë fakteve. Dua të theksoj që, profesionalizmi i prokurorëve të SPAK ishte në nivelin e një studenti të vitit të para të Juridikut. Të gjitha pretendimet ishin të bazuara në falsifikim.
Kalkulimet dhe analiza financiare e pabërë nga SPAK, falsifikonte me keqdashje pasurinë tonë. Ashtu sikurse rezulton se edhe letërporositë e ardhura nga SHBA ka një deklaratë të rreme që ligji amerikan e dënon me 5 vite burg.
Prokurorët ishin të papërgatitur. Ata pastaj kaluan dhe të artikujt e gazetave të paguara nga inceneratori. Që me emërimin e një prokurori të ri në SPAK, në Portin e Durrësit nuk është ndaluar më asnjë ngarkesë me kokainë, kur dihet që kalojnë kontejnerë plot", u shpreh Monika Kryemadhi.
Deputetja e Partisë së Lirisë pohoi se edhe disa letërporosi që kanë ardhur nga shtete të ndryshme, kanë provuar se Ilir Meta nuk është përfshirë në asnjë aferë të paligjshme. Sipas Monika Kryemadhit, letërporositë janë në favor të tyre dhe kundër SPAK.
