Ish-kandidati për deputet i PD, Ilir Alimehmeti i ftuar në studion e ‘Top Story’, komentoi takimin e shumëpërfolur të organizuar ditën e sotme mes më të votuarve nga primaret, i cilësuar si një “kryengritje” kundër liderit Sali Berisha.
Alimehmeti nuk e konfirmoi diçka të tillë, por theksoi se Partia Demokratike ka nevojë urgjente për riorganizim dhe rikonfirmim. Alimehmeti tha se gjithçka nis me një shtërngim duarsh për të analizuar në tërësi situatën e më pas për të qenë të gatshëm për tu përballur me kundërshtarët politikë në zgjedhje.
“Në fillim gjithçka nis me një shtrëngim duarsh dhe për të kuptuar se ku ndodhemi. Në mungesë të një përfaqësimi të demokratëve, ku përkarshi të një qeverie të kalbur opozita nuk e hedh dot në tokë dhe nuk ndodh ai rrotacioni politik, parimi ishte si mund të forcohet PD. Unë personalisht mendoj se PD i duhet një riorganizim nga koka te këmbët, vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i qasemi një sistemi zgjedhjesh vendore në mënyrë të suksesshme.
Vizioni është 2029 që kalon përmes 2027. Nëse në këto muaj bëjmë disa riorganizime që u flasin njerëzve siç duhet, në atë mënyrë situata kthehet, sepse është e lehtë më këtë qeverisje përballë sepse është duke rënë vetë”, tha ai.
