Partia Demokratike ka reaguar sërish lidhur me ngjarjen e Lezhës, ku Pjerin Ndreu pati një përplasje me policinë atje, duke iu thënë se ai bënte ligjin dhe ata ishin legena.
Kësaj here ka reaguar në facebook Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili thotë se Ndreu jo vetëm që nuk duhet të jetë mbi ligjin, por duhet të jetë në burg.
Kjo për faktin se sipas PD-së, ai është pjesë e dosjes 184 ku përgjimet e nxorrën atë teksa i bënte shantazh mësuesve për heqje nga puna, nëse nuk do të votonin PS.
Shënimi i plotë i Gazment Bardhit
Pjerin Ndreu nuk duhet të jetë mbi ligjin, Pjerin Ndreu duhet jetë në burg sepse është i njëjti që në Dosjen 184 “fluturonte” mësuesit nga puna me urdhër partie dhe sot sulmon dhe fyen policinë. Deliri tij është produkt i paligjshmërisë mbi të cilën ngrihet pushteti i korruptuar i regjimit Rama-Doshi: Vjedhja e zgjedhjeve!
Ata nuk përfaqësojnë qytetarët, por interesat e krimit me të cilin masakrojnë zgjedhjet dhe vjedhin vullnetin e shumicës për ndryshim. Që arroganca ndaj qytetarëve dhe institucioneve të ndalojë, që ankthi dhe pasiguria të mos mbretërojnë në familjet shqiptare, duhet marrë fund modeli i politikës të lidhur me krimin.

