Juan S. Gonzales*
Përdorimi i forcës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për të rrëzuar presidentin venezuelian Nicolás Maduro shënon një pikë kthese si për Venezuelën, ashtu edhe për politikën amerikane në Hemisferën Perëndimore. Por do të ishte gabim të ngatërrohej drama me zgjidhjen. Pamjet e Madurros në paraburgim amerikan krijojnë përshtypjen e një përfundimi të prerë. Megjithatë, kjo nuk është fillimi i fundit të përplasjes së gjatë të Uashingtonit me Venezuelën. Është fundi i fillimit dhe nisja e një faze shumë më të vështirë dhe të rrezikshme.
Administrata Trump po e trajton largimin e Madurros si një sukses taktik që flet vetë, ndërkohë që në mënyrë të qëllimshme merr mbi vete përgjegjësinë për atë që vjen më pas. Presidenti Donald Trump ka qenë i qartë për këtë zgjedhje. Duke shpallur se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtojnë Venezuelën” për një periudhë, ai nuk po shfaq thjesht vetëbesim. Po merr me vetëdije përgjegjësinë për pasojat politike, ekonomike dhe të sigurisë që do të pasojnë.
Historia ofron një paralajmërim. Në maj të vitit 2003, presidenti George ë. Bush qëndroi nën pankartën “Mission Accomplished” dhe shpalli fitoren në Irak. Ajo që pasoi nuk ishte stabilizimi, por fragmentimi — një kryengritje, një krizë legjitimiteti dhe vite të tëra përfshirjeje të kushtueshme. Venezuela ndodhet tani në një pikë të ngjashme kthese. Largimi i Madurros mund të hapë rrugën për një tranzicion të qëndrueshëm. Po aq lehtë, mund t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara në një moçal të rrezikshëm.
Nëse Uashingtoni e menaxhon fazën e ardhshme me disiplinë, duke kombinuar presionin me stimujt dhe forcën me legjitimitetin politik, ai mund të rivendosë trajektoren e Venezuelës, ta rikthejë vendin në komunitetin e demokracive të hemisferës dhe të riafirmojë ndikimin amerikan në një rajon që gjatë dekadës së fundit ka kërkuar alternativa përballë fuqisë së SHBA-së. Nëse kjo ndodh, përfitimi do të ishte i konsiderueshëm. Kolapsi i Venezuelës gjatë dy dekadave të fundit ka qenë shkaktari kryesor i migracionit të parregullt, krimit ndërkufitar, korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare në hemisferë, duke dëmtuar interesat amerikane. Stabilizimi do t’i adresonte këto probleme në burim, dhe jo në kufirin e SHBA-së. Ai do të mbyllte gjithashtu një mjedis të lejueshëm që i dha regjimit të Madurros mundësinë të kryente krime sistematike ndaj popullsisë së vet, krime që e shkatërruan shoqërinë venezueliane nga brenda, ndërsa eksportuan paqëndrueshmëri jashtë vendit. Po ashtu, do t’u hiqte kundërshtarëve të SHBA-së (përfshirë Kinën, Iranin dhe Rusinë) një pikëmbështetje strategjike.
Por arritja e një rezultati të tillë do të kërkojë një nivel aftësie politike dhe rrethanash të favorshme që nuk janë aspak të garantuara në asnjë administratë. Rrugët e mundshme të dështimit përfshijnë një tranzicion të pjesshëm që i lë rrjetet kriminale të paprekura, një periudhë të zgjatur paqartësie politike që mban gjallë migracionin dhe paqëndrueshmërinë, ose një angazhim të ngadalshëm por të thellë në fushën e sigurisë, të cilin Shtetet e Bashkuara nuk e kishin synuar, por që e kanë të vështirë ta zhbëjnë. Ajo që do të ndodhë më pas do të përcaktojë nëse ky moment do të kthehet në një nyje vendimtare të historisë së hemisferës, apo thjesht në një tjetër faqe në katalogun e gjatë të tejkalimeve amerikane.
BASTI
Operacioni që i dha fund sundimit të Madurros mban qartë vulën e Donald Trumpit dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio. Ai pasqyron një botëkuptim që vlerëson vendosmërinë, spektaklin dhe përfitimin, si politik, ashtu edhe ekonomik. Për Trumpin, Venezuela është më pak një problem i politikës së jashtme që duhet menaxhuar dhe më shumë një aset që duhet shfrytëzuar. Shtetet e Bashkuara, këmbëngul ai, do ta “drejtojnë vendin”, do të nxjerrin dhe shesin naftën venezueliane dhe do ta kthejnë levën gjeopolitike në përfitim konkret. Ky është merkantilizëm i zbatuar pa komplekse: diplomacia shtetërore e përzier me fitimin dhe mundësi të krijuara jo vetëm për kompanitë amerikane, por edhe për aleatë politikë dhe ndërmjetës pranë pushtetit.
Këto instinkte tashmë po formësojnë pritshmëritë në sektorin energjetik. Përtej Chevron-it, kompani amerikane si ConocoPhillips, prej kohësh të përfshira në procese gjyqësore për asete të shpronësuara, pritet gjerësisht të rikthehen në Venezuelë. Por hapësira e manovrës për Trumpin është e kufizuar. Shumica e fushave prodhuese tashmë janë dhënë me kontratë, përfshirë edhe kompani kineze, të cilat do të këmbëngulin që këto marrëveshje të respektohen. Kjo e ngushton spektrin e opsioneve të Uashingtonit dhe rrit tundimin për të anashkaluar krejtësisht qeverinë e ardhshme të Venezuelës. Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të kapin drejtpërdrejt të ardhurat shtetërore nga nafta venezueliane, do të mbetet pak hapësirë fiskale për rindërtimin e brendshëm, duke siguruar në praktikë që Uashingtoni ta “drejtojë” Venezuelën, pavarësisht se kush e mban zyrtarisht pushtetin.
Për Rubion, rreziku dhe basti janë të ndryshëm, por jo më pak të rëndësishëm. Prej vitesh ai ka argumentuar se presioni gradual vetëm e ka forcuar regjimin, ndërsa ka zgjeruar ndikimin kinez, iranian dhe rus. Ky moment ofron mundësinë për të provuar se fuqia e fortë mund të sjellë rezultate atje ku diplomacia dhe sanksionet dështuan dhe për të riformatuar debatin mbi lidershipin amerikan në hemisferë.
Nëse basti shpërblehet, pasojat do të shtrihen shumë përtej Karakasit. Ai do të legjitimonte atë që kritikët e kanë quajtur “Doktrina Don-roe”, një rinterpretim i Doktrinës Monroe në epokën Trump, që favorizon zbatimin unilateral mbi përmbajtjen multilaterale. Kjo sinjalizon se Uashingtoni është i gatshëm të riafirmojë primatin e tij në hapësirën e afërt gjeografike, edhe me koston e fërkimeve institucionale dhe shqetësimeve diplomatike.
Një qasje e tillë do të detyronte një rikalibrim në të gjithë Amerikën Latine dhe Karaibet, duke u kujtuar qeverive se tërheqja e SHBA-së është një zgjedhje, jo një kufizim — dhe se fuqia amerikane, kur ushtrohet, mund të jetë aq vendimtare sa t’u lërë pak hapësirë për kundërshtim të hapur. Ajo do të fuqizonte gjithashtu ata në Uashington që favorizojnë rezultate strategjike dhe tregtare mbi procesin diplomatik dhe bindjen në politikën hemisferike.
Por kjo logjikë mbështetet në supozime të formuara në një epokë tjetër. Doktrina Monroe funksionoi kur fuqia amerikane ishte e pakonkurrueshme në hemisferë dhe rivalët e jashtëm ishin të largët. Ajo botë nuk ekziston më.
FRAGMENTIM PA ZGJIDHJE
Heqja e Madurros nuk do të thotë shembja e çavizmit, sistemi hibrid ideologjik, politik dhe kriminal i ndërtuar rreth projektit bolivarian të Hugo Chávez-it (paraardhësit të Madurros, që erdhi në pushtet në vitin 1999 dhe vdiq në detyrë në vitin 2013), dhe i mbajtur gjallë përmes patronazhit, represionit dhe financave të paligjshme. Regjimi nuk ka qenë kurrë një strukturë e vetme. Ai ka qenë një koalicion, i mbajtur së bashku nga aksesi në renta dhe frika e përbashkët nga ndëshkimi. Me largimin e Madurros, ky koalicion do të shpërbëhet. Por shpërbërja nuk është e njëjtë me tranzicionin politik.
Variabli vendimtar janë forcat e armatosura. Ka pak prova për një shkëputje të pastër institucionale që do të sugjeronte një transferim të shpejtë pushteti. Një skenar më i mundshëm është pazari i zgjatur, dezertimi selektiv dhe pozicionimi i kujdesshëm. Disa komandantë do të kërkojnë akomodim me çfarëdo autoriteti që del në pah. Të tjerë do të ngulen në pozicion, duke vënë bast se pasiguria punon në favorin e tyre. Aktorët civilë të pushtetit — guvernatorë, zyrtarë partie, ndërmjetës ekonomikë — do të ndjekin të njëjtin kalkulim.
Kushtetuta e Venezuelës ofron një rrugë të ngushtë dhe të kontestuar përpara. Ajo parashikon zgjedhje të reja brenda 30 ditësh pas krijimit të një vakance presidenciale, ndërkohë që njeh edhe rezultatet e votimit të korrikut 2024, të cilat Maduro refuzoi t’i njohë, një votim që prodhoi një fitore të qartë të opozitës për Edmundo González-in, një ish-diplomat i zgjedhur për të kandiduar në vend të lideres së opozitës, María Corina Machado; një fitore e njohur gjerësisht jashtë vendit, por e pazbatuar brenda tij. Tensioni mes procedurës kushtetuese dhe realitetit politik përmbledh sfidën thelbësore që vjen: ligjshmëria, e vetme, nuk do ta zgjidhë tranzicionin pa zbatim dhe pa miratimin e atyre që ende kontrollojnë fuqinë shtrënguese.
Një tranzicion paqësor mbetet i mundur. Ai do të kërkojë presion të kalibruar, garanci të besueshme dhe gatishmëri për t’i dhënë përparësi riintegrimit mbi ndëshkimin e përgjithshëm. Përndryshe, do të shfaqen sabotatorë — jo vetëm ideologë të vijës së ashpër, por edhe aktorë racionalë që veprojnë për vetëmbrojtje.
Situatën e ndërlikon edhe më shumë ekosistemi që la pas Maduro: trafikantë, zyrtarë të korruptuar, grupe të armatosura, aktorë të sigurisë. Këto struktura janë thellësisht të ngulitura në shtet dhe në ekonomi. Heqja e figurës kryesore nuk e çmonton sistemin.
LUFTA E PËRJETSHME E RADHËS?
Dështimi do të kishte një kosto të lartë, si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Venezuelën. Një tërheqje e shpejtë amerikane rrezikon ta lërë Venezuelën në një gjendje pezull — pa qeverisje, të paqëndrueshme dhe duke vazhduar të humbasë njerëz dhe kapital. Qëndrimi për një kohë tepër të gjatë mbart një rrezik tjetër: përfshirjen në një konflikt të nivelit të ulët që konsumon vëmendjen, legjitimitetin dhe vullnetin politik të SHBA-së. Ky është paradoksi i ndërhyrjes: shumë pak fton kaosin, shumë shumë fton moçalin. Hapësira për gabime është e ngushtë dhe kostot e keqllogaritjes do të ndiheshin shumë përtej kufijve të Venezuelës.
Një krizë e zgjatur do të krijonte hapësirë për ndërhyrje të tjera të jashtme. Irani dhe Rusia janë mbështetur te lidhjet e sigurisë. Kina ka ndjekur një lojë më afatgjatë — të përqendruar te infrastruktura, financat dhe qasja në tregje. Një prani e rëndë ushtarake amerikane mund, pa dashje, ta forcojë pozicionin e Pekinit duke përforcuar perceptimin se Uashingtoni ofron shtrëngim, ndërsa Kina ofron zhvillim.
Këtu qëndron dobësia e “Doktrinës Don-roe”. Fuqia ushtarake nuk është më mjeti më efektiv për të formësuar rezultatet në Amerikën Latine dhe Karaibe. Mund të ketë qenë e tillë në shekullin XIX dhe fillim të shekullit XX, kur Shtetet e Bashkuara impononin rend përmes pushtimeve dhe diplomacisë së “anijeve luftarake”. Por sot, gara për ndikim në hemisferë nuk është më kryesisht ushtarake. Ajo është ekonomike dhe teknologjike. Kina e kuptoi këtë prej vitesh, duke u rrënjosur në zinxhirët e furnizimit, porte, rrjete energjie dhe infrastrukturë digjitale — shpesh duke hyrë aty ku Uashingtoni mbështetej te sanksionet ose leksionet politike. Pa një vijimësi ekonomike, epërsia ushtarake nuk do ta largojë Kinën nga Venezuela apo nga rajoni. Përkundrazi, do të nxisë pozicionime të kujdesshme .
Reagimet rajonale dhe globale ndaj goditjes amerikane e bëjnë të qartë rëndësinë e asaj që ndodh më pas. Brazili, Kolumbia dhe Meksika e kanë dënuar lëvizjen e SHBA-së, ndërsa shumë venezuelianë festojnë hapur largimin e Madurros. Reagimet evropiane — nga Brukseli, Londra dhe Parisi — kanë qenë të kujdesshme më shumë sesa kritike: përgjithësisht mbështetëse ndaj rezultatit, por duke rezervuar gjykimin për metodat dhe pasojat. Mbështetja për largimin e Madurros është reale. Miratimi i mënyrës se si Shtetet e Bashkuara do ta menaxhojnë vazhdimin është i kushtëzuar.
Bilanci financiar, dhe jo fusha e betejës, do të rezultojë arena më vendimtare — dhe këtu instinkti i Trumpit për të shpërblyer aleatët politikë rrezikon të devijojë kapitalin dhe kontrollin larg investimeve afatgjata të nevojshme për rindërtimin e ekonomisë venezueliane. Vendi ka humbur më shumë se tri të katërtat e PBB-së në një dekadë. Prodhimi i naftës ka rënë ndjeshëm, edhe pse Venezuela vazhdon të ketë disa nga rezervat më të mëdha në botë (sipas disa matjeve, më të mëdhatë). Shërbimet publike mezi funksionojnë. Asnjë përpjekje rimëkëmbjeje pas konflikti në hemisferë nuk i afrohet kësaj shkalle. Në këtë kontekst, kontrolli mbi të ardhurat nga nafta nuk është çështje teknike — është përcaktuesi kryesor nëse çdo qeveri e ardhshme do të jetë në gjendje të qeverisë realisht. Nëse këto të ardhura devijohen jashtë vendit, sovraniteti politik do të jetë i zbrazët, pavarësisht zgjedhjeve.
Kontrolli mbi naftën venezueliane ka pasoja globale. Edhe nën supozime optimiste, degradimi i infrastrukturës, kufizimet e kapitalit, pretendimet e kreditorëve dhe rreziku politik do ta ngadalësojnë rritjen e prodhimit në afat të shkurtër. Me kalimin e kohës, megjithatë, furnizimi nga Venezuela mund të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat globalë. Në këtë skenar, Uashingtoni do të bëhej de facto pjesëmarrës në formësimin e tregjeve globale të naftës, duke u futur funksionalisht në logjikën e OPEC+ pa qenë anëtar formal.
Kjo është një mundësi për Shtetet e Bashkuara që të konkurrojnë aty ku kanë avantazhe reale. Diplomacia ekonomike — jo dominimi ushtarak — do të përcaktojë nëse riintegrimi i Venezuelës e forcon apo e minon ndikimin amerikan. Stabilizimi do të kërkojë shumë më tepër sesa heqje sanksionesh. Ai kërkon investime private, ristrukturim borxhesh, rikthim të prodhimit energjetik dhe integrim në transformimet teknologjike që po riformësojnë ekonominë globale. Amerika Latine dhe Karaibet ndodhen në prag të ndryshimeve strukturore — në inteligjencë artificiale, shëndetësi, energji të pastër dhe prodhim të avancuar. Venezuela duhet të jetë pjesë e këtij të ardhmi, ose të mbetet e bllokuar në nxjerrje burimesh dhe varësi.
RRUGËT PËRPARA
Tre skenarë të gjerë duken të mundshëm menjëherë pas largimit me forcë të Maduros.
Rruga e parë është një tranzicion i menaxhuar. Zgjedhjet mund të zhvillohen, por mbetet e pasigurt nëse një figurë e vetme e opozitës do të dalë si lidere qeverisëse e qëndrueshme. Momentumi politik i María Corina Machado-s, edhe pse real, nuk përkthehet automatikisht në autoritet qeverisës në një realitet post-Maduro të formësuar nga degradimi institucional, aktorë sigurie me fuqi vetoje dhe balanca pushteti të pazgjidhura. Mërgimi, fragmentarizimi dhe lodhja e kanë dobësuar bazën e opozitës. Në vend të kësaj, pushteti mund të përqendrohet rreth një autoriteti të përkohshëm ose një zgjidhjeje teknokratike të pranueshme për aktorë kyç të brendshëm, përfshirë elementë të ish-regjimit dhe të forcave të armatosura. Ky skenar ofron shansin më të mirë për stabilizim, por vetëm nëse shoqërohet me ndihmë të shpejtë ekonomike dhe garanci të besueshme sigurie.
Rruga e dytë është vazhdimësia e kriminalizuar. Një pjesë e madhe e arkitekturës shtrënguese dhe kriminale të regjimit mbetet e paprekur. Grupet e armatosura dhe trafikantët vazhdojnë të veprojnë. Ndryshimi politik bëhet sipërfaqësor, ndërsa paqëndrueshmëria vazhdon. Pushteti mund t’i dorëzohet formalisht një figure civile zëvendësuese — si zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez — e cila u ofron bashkëbiseduesve ndërkombëtarë vazhdimësi procedurale, duke ruajtur njëkohësisht rrjetet themelore që e mbajtën gjallë regjimin. Sinjalet e hershme do të përfshinin ndjekje penale selektive, garanci të heshtura për elitat e sigurisë dhe ruajtjen e kontrollit mbi burimet kyçe të të ardhurave, në vend të reformimit të tyre.
Rruga e tretë është përshkallëzimi. Luftërat për pushtet bëhen të dhunshme, aktorët e armatosur shumohen dhe Shtetet e Bashkuara — pasi kanë marrë përsipër përgjegjësinë — përballen me presion për të ndërhyrë sërish. Ajo që nis si stabilizim rrezikon të shndërrohet në një tjetër angazhim pa afat.
Cila rrugë do të mbizotërojë do të varet më pak nga operacioni që rrëzoi Maduron dhe më shumë nga strategjia amerikane që pason. Venezuela është tani një provë — jo vetëm e fuqisë amerikane, por e gjykimit amerikan. Tundimi për të shpallur fitoren dhe për të kaluar më tej do të jetë i madh. Po aq i fortë do të jetë impulsi për t’i kontrolluar drejtpërdrejt rezultatet. Të dyja duhet të rezistohen.
Nëse Trump dhe Rubio ia dalin, ata do të riformësojnë politikën hemisferike dhe do të legjitimojnë një vizion të ashpër të lidershipit amerikan. Nëse dështojnë, kostot do të jehojnë për vite me radhë — duke nxitur migracionin, duke fuqizuar kundërshtarët dhe duke përforcuar skepticizmin ndaj ndërhyrjes amerikane. E ardhmja e Venezuelës nuk do të përcaktohet nga largimi i Madurros, por nga disiplina, vetëpërmbajtja dhe imagjinata ekonomike që do të zbatohen pas tij.
*Juan S. Gonzales ka shërbyer në Departamentin e shtetit si zv.drejtor në Këshillin e sigurisë Nacionale. Artikulli është botuar në Foreign Affairs
