Hapësire reklamuese

OpEd

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla

Shkruar nga Newsbomb
Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
Foto nga mbledhja

Nga Engjëll Serjani

Bullizmi në Shqipëri konsiderohet sot një problem real dhe në rritje, veçanërisht mes fëmijëve dhe adoleshentëve. Ai nuk është një fenomen i izoluar, por një shqetësim social që lidhet ngushtë me shkollën, familjen dhe sidomos me rrjetet sociale. Sipas një sondazhi të vitit 2024, rreth 46.6% e të anketuarve kanë raportuar raste bullizmi te fëmijët apo adoleshentët në rrethin e tyre.

Në këtë kuadër, Qendra Kulturore Mediatike Antigonea (QKMA), një subjekt i shoqërisë civile me qendër në Gjirokastër dhe me veprimtari të shtrirë në të gjithë rajonin jugor, ka prezantuar projektin e saj me titull “Nga ndërgjegjësimi te veprimi: Parandalimi i kulturës së bullizmit në Shkolla dhe në Komunitet”, i cili zbatohet me mbështetjen e Programit “Forcimi i Policimit në Komunitet (SCPA)”, financuar nga Ambasada e Suedisë.  Prezantimi u zhvillua në një takim ku u përfshi një rrjet i gjerë aktorësh publikë dhe jopublikë. Takimi u fokusua në rritjen shqetësuese të rasteve të bullizmit mes adoleshentëve dhe nevojën për një qasje të koordinuar ndërinstitucionale.

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
 

Ismihan Robaj, përgjegjëse e njësisë së mbrojtjes së fëmijëve në Drejtorinë e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Gjirokastrës, theksoi se një nga shqetësimet kryesore mbetet zhvendosja e fenomenit drejt hapësirës digjitale, ku kontrolli dhe ndërhyrja janë më të vështira.

“Të dhënat tona tregojnë qartë se fenomeni është shtrirë sidomos nëpërmjet hapësirave digjitale online”, u shpreh ajo.

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
 

Drejtoresha e Shkollës së Mesme “Pandeli Sotiri”, Matilda Gushi, ngriti shqetësimin se përgjegjësia për rastet e bullizmit shpesh i faturohet vetëm shkollës, duke theksuar mungesën e bashkëpunimit të plotë ndërinstitucional.

“Shkolla është fronti i parë ku evidentohen rastet, por sfida kryesore mbetet koordinimi mes institucioneve dhe ndërgjegjësimi i vazhdueshëm i shoqërisë”, tha ajo.

Sipas saj, prindërit shpesh reagojnë vetëm kur pasojat janë bërë të dukshme. “Na duhet të edukojmë jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit për një angazhim më të vazhdueshëm në jetën e fëmijëve të tyre”, shtoi Gushi.

Ekspertja e projektit, Nadia Çobo, nënvizoi se qëllimi kryesor i nismës është rritja e ndërgjegjësimit dhe forcimi i kapaciteteve të nxënësve, stafit shkollor, prindërve dhe komunitetit në Gjirokastër për parandalimin, identifikimin dhe raportimin e rasteve të bullizmit fizik dhe dhunës online.

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
 

Sipas saj, projekti synon të adresojë mungesën e mekanizmave efektivë të koordinimit dhe raportimit, duke forcuar bashkëpunimin mes shkollave, policisë së shtetit, Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe autoriteteve vendore. Aktivitetet e parashikuara përfshijnë workshope, teatro lëvizës, fushata ndërgjegjësuese dhe anketime në terren.

“Kësisoj mundësojmë krijimin e një mjedisi më të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët dhe të rinjtë”, theksoi ekspertja Nadia Çobo.

Inspektorja e Komisariatit të Policisë, Oltiana Nano, vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar rolin e shkollave, policisë, psikologëve dhe organizatave të shoqërisë civile në parandalimin dhe adresimin e bullizmit.

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
 

Ajo nënvizoi se përfshirja e të gjithë aktorëve rrit efektivitetin e sistemit të parandalimit dhe forcon besimin e nxënësve dhe prindërve për raportimin e rasteve.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një qasje të integruar që kombinon parandalimin, edukimin dhe ndërhyrjen e hershme. U theksua se vetëm përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërinstitucional mund të ndërtohet një mjedis i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë, ku ata ndihen të mbrojtur, të dëgjuar dhe të respektuar.

Forcimi i këtij bashkëpunimi u vlerësua si një hap i domosdoshëm drejt ndërtimit të një kulture shkollore dhe komunitare pa dhunë, në përputhje me frymën e projektit “Nga ndërgjegjësimi te veprimi: Parandalimi i kulturës së bullizmit në Shkolla dhe në Komunitet”.

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
 

Ky projekt zbatohet nga Qendra Kulturore Mediatike Antigonea (QKMA) me mbështetjen e programit “Forcimi i Policimit në Komunitet (SCPA)”, financuar nga Ambasada e Suedisë.

Parandalimi i bullizmit shqetësim real në shkolla
 
 
 

 

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese