Një rast i rëndë ka tronditur rajonin jugperëndimor të Baden-Württemberg në Gjermani, ku një foshnjë tre-muajshe është gjetur e vdekur, më pak se 24 orë pasi u rrëmbye nga një karrocë jashtë shtëpisë së tij.
Sipas autoriteteve policore, foshnja dyshohet se është rrëmbyer nga një person i panjohur ndërsa ishte në një karrocë jashtë shtëpisë së tij në Gjermani, pasi nëna e tij 37-vjeçare tha se e la atë në trotuar vetëm për disa pasi ishte kthyer nga pazari dhe e kishte lënë përkohësisht foshnjën jashtë shtëpisë për të marrë çantat lart, por kur u kthye poshtë, fëmija ishte zhdukur.
Një operacion i gjerë kërkimi nisi menjëherë në zonë, duke përfshirë forca policie, qen nuhatës dhe dronë, ndërsa kërkimet u përqendruan në një zonë më të gjerë rreth vendit të zhdukjes.
Të premten pasdite, më pak se 24 orë pas rrëmbimit, trupi i një foshnje u gjet pranë një përroi të lumit Rankbach që rrjedh nëpër zonë. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që të jetë fëmija i zhdukur, ndërsa procesi zyrtar i identifikimit është duke u zhvilluar.
Gjyshja e foshnjës, duke folur për gazetën gjermane BILD, përshkroi se si vajza e saj ishte kthyer nga pazari me çanta dhe po përgatitej t'i çonte ato në apartament kur ndodhi incidenti.
Autoritetet po hetojnë të gjitha mundësitë, përfshirë mundësinë që nëna dhe fëmija të jenë ndjekur gjatë rrugës për t'u kthyer nga dyqanet aty pranë, rreth 15 minuta larg shtëpisë së tyre. Sipas raportimeve lokale, ata kishin shkuar për pazar pak para se dyqanet të mbylleshin, rreth orës 22:00, dhe u raportuan të zhdukur rreth orës 23:30.
Njëzëdhënës i policisë tha se fëmija u la pa mbikëqyrje për një kohë të shkurtër dhe se "një person i panjohur e mori nga karroca dhe e çoi me vete".
