Është ndaluar nga policia e Tiranës kryeinfermierja dhe infermierja e turnit, në azilin ku ndodhi ngjarja e rëndë. Pas një debati Zyhdi Shehi 78 vjeç goditi me bastun dhe i shkaktoi vdekjen Virxhil Veshos 82 vjeç.
Kryeinfermierja dhe infermierja priten të merren në pyetje me ngjarjen dhe se si dy të moshuarit arritën në përplasje fizike.
Ngjarja ndodhi në azilin privat të pleqve në Tiranë, në zonën e “Ali Demit” rreth orës 04:00 të mëngjesit. Pas një debati për “krevatin”, 78-vjeçari e qëlloi me bastun disa herë shokun e tij i cili fatkeqësisht gjeti vdekjen e menjëhershme. Më herët raportuam se të dy të moshuarit vuanin nga skleroza.
Ndërkohë, mësohet se autori i kësaj ngjarje të rëndë rezulton të jetë një figurë e shquar. Zyhdi Shehi, i lindur më 11 dhjetor 1946, në fshatin Bago të Kavajës, është një historian dhe shkrimtar i njohur për botime historike e letrare.
Vitin e kaluar ai u shpall edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake.
