Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shteti heshti për burrin e ministres! Policia nuk mori as kamerat, e la Andri Ibrahimaj të largohej nga Shqipëria

Shkruar nga Newsbomb
Shteti heshti për burrin e ministres! Policia nuk mori as kamerat, e la
Andri Ibrahimaj - Policia e Shtetit

Newsbomb.al ka raportuar ekskluzivisht këtë të premte një ngjarje sa të rëndë aq edhe të turpshme ku është përfshirë bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj, shtetasi Andri Ibrahimaj, duke goditur me thikë një drejtor në varësi të gruas.

Arsyeja e këtij konflikti që degjeneroi deri në përdorimin e thikës nga ana e burrit të ministres socialiste, Andri Ibrahimaj, është pikërisht posti që mban shtetasi E.K si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

Atij i është kërkuar vazhdimisht të japë dorëheqjen, gjatë kohës që bashkëshortja e Andri Ibrahimaj drejtonte Ministrinë e Financave. Agjencia e Trajtimit të Kredive është një institucion në varësi të kësaj ministrie dhe shtetasi E.K nuk ka pranuar që të largohet pas presioneve dhe kërcënimeve.

Shteti heshti për burrin e ministres! Policia nuk mori as kamerat, e la
Kallezimi i mbajtur nga OPGJ me 20 Nentor 2023

Një tjetër detaj që thellon skandalin ku është përfshirë Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj. Ky shtetas i ka kërkuar vazhdimisht E.K që të jepte dorëheqjen sepse drejtor do të emërohej një shok i tiji.

"Në vijim të veprimeve dhe në zbatim të detyrave të lëna nga prokurori i procedimit penal i është marrë deklarim shtetasve A.I., E.M. e O.M. dhe materialet janë referuar në prokurori më datë 04.12.2023 për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit A.I", njoftoi Policia e Shtetit.

Shteti heshti për burrin e ministres! Policia nuk mori as kamerat, e la
Raporti i Institutit te Mjekesise Ligjore Tirane

Policia e Shtetit doli me deklaratë zyrtare për rastin, duke bërë me dije se për rastin janë kryer të gjitha veprimet proceduriale, duke referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës në ngarkim të shtetasit Andri Ibrahimaj, për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës".

Mirëpo, a i ka referuar vërtet Komisariati Nr.1 në Tiranë materialet në organin e akuzës dhe kur ka ndodhur kjo???

Së pari, në nxitim e sipër për të shpërndarë një reagim për rastin që u provua të fshihte, Policia e Shtetit thotë se ka referuar në Prokurorinë e Tiranës materialet për ngjarjen e datës 21.11.2023. Ky është gabimi i parë, sepse ngjarja ka ndodhur më datë 20 Nëntor dhe këtë e provojnë dhe procesverbalet e mbajtur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore.

Së dyti, Policia e Shtetit thotë se rasti është referuar në organin e akuzës me datë 04.12.2023, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit Andri Ibrahimaj. Ky është një fakt i dytë që hedh hije të forta dyshimi për reagimin e uniformave blu.

Kur ngjarja ka ndodhur më datë 20 Nëntor 2023 dhe po atë ditë është mbajtur procesverbali për kallëzimin penal të drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, përse rasti ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës rreth dy javë më pas, më datë 4 Dhjetor 2023?!

Shteti heshti për burrin e ministres! Policia nuk mori as kamerat, e la
Shkresa drejtuar kryepolicit Muhamet Rrumbullaku

A ka tentuar Policia e Shtetit të fshehë ngjarjen? Po kamerat e sigurisë në lokalet e shumta te Pazari i Ri, a janë sekuestruar? A ka pasur persona të tjerë të plagosur në këtë ngjarje? Newsbomb.al ka të tjera fakte që provojnë se me thikë është qëlluar dhe një shtetas tjetër që ka ndërhyrë për të ndarë palët, sepse sherri ka qenë ai i madh saqë në zonë janë mbledhur shumë persona.

Autoritetet duhet të përgjigjen dhe për reagimin atë mëngjes nëntori. A është bërë shpallja e shtetasit Andri Ibrahimaj në kërkim, kur është provuar dhe deklaruar nga viktimat e sulmit me thikë dhe dëshmitarët e tjerë, se ai ka qenë autori?

Oficeri i Policisë Gjyqësore që ka marrë deklarimet e drejtorit të plagosur nga burri i ministres Delina Ibrahimaj, referuar dokumentit zyrtar, ka bërë me dije se shtetasi Andri Ibrahimaj në bazë të verifikimeve prej tij në sistemin TIMS kishte dalë nga Shqipëria.

Policia e Shtetit duhet të sqarojë, nëse ka hezituar me dashje të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale sipas ligjeve të shtetit shqiptar, apo persona me ndikim të fuqishëm politik i kanë kërkuar të kryejë veprime gjysmake për të favorizuar burrin e ministres!

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese