U duk pak e çuditshme dje që dy ambasadorë, e dërguara me punë e SHBA në Tiranë Nancy VanHorn dhe ambasadori hollandez Ros zbritën në kantierin e Delvina Gas në Delvinë.
Në kapelet e vendosura në kokën e ambasadorëve, dallohej qartë logo e kompanisë, Delvina Gas. Fillimisht njoftimi për këtë vizitë u bë në faqen e ambasadës amerikane në facebook. Por, për gazetarët, nuk ishte e vështirë të hapej historiku I kompanisë, ku pronari I Delvina Gas, Sokol Meqemeja, në verën e vitit të kaluar u shpall në kërkim nga policia shqiptare pasi dyshohej se kompania kishte ndërtuar një termocentral pa leje në ambientet e koncesionit.
Nga Arratia, në pritje të hetimeve të prokurorisë, Sokol Meqemeja vendosi të lidhë kontratë 6 mujore me një kompani lobimi amerikane: Mercury public affairs. Kompania do të paguhej me 100 mijë dollar në muaj, sipas kontratës së regjistruar në FARA, për të lobuar për kompaninë që po persekutohej nga qeveria.
Dhe nuk vonoi shumë nga lidhja e kontratës së lobimit. Në kantierin e Delvina Gas, mbërrin për vizitë, shoqëruar me foto, madje me dy ambasadorë, delegacioni amerikano-hollandez. Nuk është e konfirmuar por flitet se kompania Delvina Gas I është shitur një konsorciumi amerikano-hollandez, emri I të cilit nuk bëhet I ditur.
Pamjet e publikuara nga ambasada nuk e tregojnë një fakt të tillë përderisa në kapelet e punës që mbajnë në kokë ambasadorët, shkruhet Delvina Gas.
“Presidenti Trump po nxit një epokë të re të rritjes së prodhimit energjetik amerikan, me investimet amerikane që forcojnë sigurinë energjetike globale. Duke theksuar rëndësinë e një mjedisi rregullator transparent për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, e Ngarkuara me punë Nancy VanHorn dhe ambasadori hollandez Reinout Vos, vizituan fushën e gazit në Delvinë për të ekploruar mundësinë në sektorin energjetik të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
