Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit dhe Sportit, ka ndarë një mesazh ngushëllimi për familjen e Florian Saraçit, nxënësit e gjimnazit "Gjergj Kastrioti" në Durrës dhe stafin pedagogjik, pas ndarjes nga jeta të 17 vjeçarit Florian Saraçi.
Ai ishte duke luajtur me shokët dhe shoqet e klasës në orën e fiskulturës, kur nuk është ndjerë mirë dhe ka humbur ndjenjat. Menjëherë i riu është dërguar me ambulancë në spital, por fatkeqësisht zemra i ka ndalur përgjithmonë.
"Një lojë e lënë përgjysmë ndali pabesisht zemrën e njomë të Florit, nxënësit të gjimnazit "Gjergj Kastrioti", vetëm 17 vjeç, ndërsa ngriu fytyrat dhe buzëqeshjen e shokëve dhe mësuesve të tij, duke na e marrë padrejtësisht prej nesh e duke na lënë një pikëllim që s’ka fjalë ta tregojë e një dhimbje të zezë këtë të premte", shkruan ministrja.
Mirela Kumbaro u shpreh ngushëllime prindërve të Florian Saraçit, mësuesve dhe shokëve teksa shkruan "Qofsh i parajsës Flori."
Edhe Policia e qytetit bregdetar njoftoi dje se vdekja e Florian Saraçit ka ardhur nga shkaqe natyrale. Neësbomb.al, më herët këtë të shtunë publikoi foton e gjimnazistit, i cili sot do të përcillet për në banesën e fundit, në orën 15:00, në varrezat e reja në Durrës.

