Hapësire reklamuese

Aktualitet

Helmimi i 60 studentëve te Akademia e Sigurisë, Skënder Hita jep URDHËR të prerë, zbarkon dy ditë rresht në institucion dhe mbledh urgjentisht drejtuesit

Shkruar nga Newsbomb
Helmimi i 60 studentëve te Akademia e Sigurisë, Skënder Hita jep
Skender Hita dhe Akademia e Sigurise

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka mbledhur mesditën e kësaj të enjte stafin e Akademisë së Sigurisë pas helmimit të 60 studentëve.

Burime për Newsbomb bëjnë me dije se kryepolici ka vizituar ambientet e Akademisë së Sigurisë që në orët e para të ngjarjes, menjëherë pasi studentët shfaqën problemet e para shëndetësore, ndërsa më pas ka vijuar të ndjekë nga afër situatën edhe gjatë ditës së sotme.

Ai ka dhënë urdhër të prerë dhe ka kërkuar angazhim të plotë të të gjitha strukturave përkatëse, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që sot ka zhvilluar edhe një mbledhje me drejtuesit e Akademisë së Sigurisë, përfshirë sektorët e sigurisë dhe higjienës, duke kërkuar sqarimin sa më të shpejtë të shkakut real të helmimit të studentëve.

Më herët, Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me situatën e raportuar në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, ku dhjetëra studentë u prekën nga një incident shëndetësor.

Në njoftimin zyrtar bëhej me dije se në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, 31 kursantë u dërguan në QSUT me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë rikthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm u paraqitën edhe 29 kursantë të tjerë me simptoma të ngjashme, të cilët janë dërguar për trajtim në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Sipas Policisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policoredhe nën drejtimin e Prokurorisë, për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.

Po ashtu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra nga ushqimet e konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e mundshëm të helmimit.

Burime për mediat bënë me dije se menuja e darkës së djeshme e konsumuar nga studentët ka përfshirë pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese