Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj së bashku me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe zëvendëskryetarin e Gjykatës së Lartë Ilir Panda, si dhe anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese në një vizitë zyrtare në SHBA zhvilluan takime me përfaqësuesit e lartë të drejtësisë në Uashington D.C.
Pas takimeve të zhvilluara, ku fokusi ishte ecuria e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe rëndësia që mbart realizimi me sukses i saj për krijimin e një sistemi gjyqësor eficient dhe të pavarur, Holta Zaçaj ka dhënë një intervistë për intervistë për Zërin e Amerikës.
Zaçaj bëri një përmbledhje të shkurtër të qëllimit të takimeve të zhvilluara me disa nga personalitetet me të larta të drejtësisë në Uashington, rolit të Gjykatës Kushtetuese, marrëdhëniet me parlamentin dhe sfidat me të cilat kjo Gjykatë po ndeshet.
Ajo është pyetur edhe në lidhej me vendimin e Gjykatës për mandatin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Ndër të tjera Zaçaj u shpreh se është një situatë e pazakontë për një shtet demokratik pasi çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet.
“Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën në fakt zbatimin e vetë Kushtetutës. Fjalët janë të tepërta për të dhenë një mesazh më tepër. Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, - tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ajo u pyet edhe për kritikat e opozitës se mban anën e qeverisë, siç ishte pakti Rama-Meloni, duke dhënë këtë koment:
“Ne vlerësojmë shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e fjalës, që është një nga liritë më të rëndësishme në Kushtetutë. Vendimi i gjykatës është ai që jepet dhe ne si gjyqtarë nuk komentojmë përtej saj. Patjetër pas çdo vendimi të gjykatës ka palë që mbeten të pakënaqura, siç ndodh në çdo vendimmarrje tjetër të çdo gjyqësori.
Pjesën e mendimeve ndryshe ne e shohim si vlerë e lirisë së demokracisë në lidhje me zbatimin e të drejtës për t’u shprehur, por përtej saj vendimi i Gjykatës ka argumentet dhe nuk mund të komentojmë. Patjetër që respektojmë mendimin ndryshe, por si një mendim që i takon publikut. Gjykata vepron në mënyrë hermetike, kështu që pjesa tjetër sesi mendon publiku për një vendim gjykate e bazuar në kushtetutë është vetëm një arritje e të drejtës për t’u shprehur”.
E pyetur për votën e emigrantëve, Zaçaj u përgjigj:
"Gjykata flet me vendime, duhet të zbatohen, nuk është lënë në dorë të politikës të vendosi se si dhe në ç’mënyrë duhet të të zbatojnë vendimet, ato janë të vetëzbatueshme. Çdo vendim që nuk përkon me atë të Gjykatës Kushtetuese nuk janë vendimet apo veprimet e duhura."
