Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
Kushtetuesja u vu në lëvizje me kërkesë të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj i cili kërkoi “zgjidhje” pasi e cilësoi shkarkimin e tij si të paligjshëm, po ashtu edhe dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë.
Por, pavarësisht kërkesës së Veliajt, presidenti Begaj vendosi që të dekretonte datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, ashtu sikurse dhe në 5 bashkitë e tjera të vendit.
Teksa caktimi i datës së së zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit u botua në Fletoren Zyrtare, avokatët e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj vijuan betejën në Kushtetuese. Mbrojtja e Veliajt në akimimin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese përfshiu edhe dekretin dhe pezullimin e tij të pjesshëm, për sa i përket pjesës së zgjedhjeve në Tiranë.
“Vetë Gjykata Kushtetuese, nëse nuk pezullon menjëherë dekretin, do të gjendej përpara një realiteti të kryer ku edhe një vendim i saj shfuqizues nuk do të mund të rivendoste gjendjen e mëparshme, pasi procesi zgjedhor do të kishte prodhuar pasoja të pakthyeshme, përfshirë zgjedhjen e një kryetari të ri”, thuhej në shkresë.
Dhe këtë të enjte Kushtetuesja ka vendosur unanimisht që “t’i japë të drejtë” Veliajt, duke lënë kështu në “ajër” zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Më herët dekreti i presidentit Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën, u botua në Fletoren Zyrtare. Në dekretin e firmosur më 1 tetor, Begaj caktoi datën 9 nëntor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve në bashkitë: Tiranë, Berat, Tepelenë, Vlorë, Cërrik dhe Mat.
Publikimi në Fletoren Zyrtare e bëri dekretin zyrtarisht të detyrueshëm për institucionet përkatëse, duke i hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të filluar përgatitjet për organizimin e procesit zgjedhor. Ndërkohë nga ana tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i propozoi Komisionit Rregullator datën 1 nëntor për çeljen e fushatës zgjedhore për garën në 6 bashkitë e vendit.
Në një kohë kur Kushtetuesja ishte duke shqyrtuar ankimimin e Veliajt, Partia Socialiste zyrtarizoi kandidaturën e Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës. Po ashtu edhe opozitarët nxorën kandidatin që do të mbështesin i cili është aktori Florjan Binaj.
