Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, mbërriti në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Kreu i qeverisë shqiptare ka nderuar Hirësinë e tij, Kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Ashtu si dhe ishte njoftuar më herët Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, po drejton ceremoninë mortore e cila filloi në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore.
Pjesë e kësaj ceremonie u bë dhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe nga pesë ministrat e kabinetit të tij, kreu i qeverisë greke ka marrë pjesë në ceremoninë mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit Hirësisë së Tij.
I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë dhe presidenti i vendit, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, lideri i opozitës, Sali Berisha, eurodeputeti Fredi Beleri si dhe deputetët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Pas dy ditësh homazhe, Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e Kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.
