Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me megaoperacionin që ka nisur prej ditës së djeshme nga Prokuroria e Posaçme që synon “kokat” e botës kriminale.
Në lidhje me këtë operacion janë lëshuar rreth 50 urdhërarreste, ku mes tyre për Astrit dhe Aldo Avdylajn, xhaxha e nip. Gazetarja Klodiana Lala për “News24” ka zbuluar se dy personat në fjalë kishin planifikuar vrasjen e Durim Bamit, i njohur si i “forti” i Niklës.
Ndërsa SPAK ka dyshime të forta se kreu i grupit kriminal të “Avdylajve” është Astriti.
Ditën e djeshme u raportua se forcat RENEA dhe FNSH zbarkuan në zonën e Shijakut, ku vepron fisi Avdylaj dhe që njihet e është përfolur si një grup i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Gjatë këtij operacioni u ushtruan kontrolle në shtëpinë e Astrit Avdylajt.
Astrit Avdylaj dhe vëllai i tij, dyshohen se kanë gisht në disa atentate mafioze të ndodhura nga viti 2019 dhe në vijim. Gjithashtu, grupi Avdylaj i Shijakut dyshohet se është i lidhur dhe me zhdukjen e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, pasi gjurmët e e fundit të tij kanë qenë në këtë zonë.
Të dy vëllezërit janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Kurbinit dy vite më parë, kur Ervis Martinaj u zhduk. Jasim dhe Astrit Avdylaj në atë kohë mohuan të kenë pasur kontakte për të strehuar biznesmenin e basteve, sepse ishin në "Arrest shtëpie" dhe monitoroheshin nga Policia e Shtetit.
Kontrollet në shtëpinë e Durim Bamit:
Vëllezërit Vater dhe Durim Bami, miq dhe me lidhje të forta me grupin e Avdylajve në Shijak, janë kthyer prej kohësh në rivalë dhe dyshohet se kanë urdhëruar e porositur disa atentate ndaj njëri-tjetrit.
Durim Bami njihet si “i fortë” i Niklës. Ai është shoqëruar si i dyshuar për disa ngjarje të bujshme kriminale, por ndaj tij nuk janë gjetur prova për të qëndruar në qeli.