Sherri me thikë i bashkëshortit të Ministres së Sipërmarrjes Delina Ibrahimaj është pranuar edhe nga vetë ministrja në një reagim pas shpërthimit të lajmit në media.
Zonja Ibrahimaj shprej keqardhjen se pse lajmi ka dalë kaq vonë në media dhe po ashtu e keqardhur se pse nuk e lejoi bashkëshortin të bënte kallzim.
Por në asnjë moment ministrja nuk thote se sherri me thikë nuk ka ndodhur.
Kush e kishte thikën? Burri i ministres, apo drejtori i ministres? Kjo ishte një cështje për të cilën do të duhet të hetonte policia e prokuroria.
Ndërkaq, policia nuk e ka bërë punën e vet sepse në vendngjarje, në zonën e pazarit të ri ku ka ndodhur sherri, ka mjaft kamera që të shikonin dinamikën e ngjarjes. Por në asnjë rast organet e rendit nuk u impenjuan ti merrnin këto kamera si provë për të dokumentuar ngjarjen.
E ndërkaq, nëse ministrja nuk e la burrin të bënte kallzim në polici, si shpjegohet që ai atë ditë, nisur dhe nga të dhënat e sistemit TIMS ka dalë nga Shqipëria? Apo mos ndoshta bashkëshorti i ministres ka pasur frikën e ndonjë arrestimi të mundshëm.
Më herët neësbomb.al paraqiti dokumentat e mjeksisë ligjore dhe kallzimin në polici të shtetasit E.K, dhe pas kësaj pati edhe një reagim të policisë.
Reagimi i ministres Delina Ibrahimaj
Jam e keqardhur që 5 muaj pas një konflikti të padëshiruar, i cili ka kaluar në rrugën e drejtësisë dhe ka marrë përgjigje po në atë rrugë, sot më duhet të jap shpjegimin tim. Nuk kam asnjë arsye të fajësoj askënd lidhur me publikimin e këtij fakti, por kam detyrimin të sqaroj elemente që e bëjnë të plotë vërtetësinë e tablosë së ngjarjes.
Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën.
Një element tjetër lehtësisht i provueshëm është se pavarësisht dinamikës së ngjarjes dhe faktit që bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për dicka që nuk e ka bërë, ashtu si konfirmohet nga vendimi i organeve të akuzës, pala kallëzuese ka vijuar të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit tim nga funksioni i Ministres së Financave dhe Ekonomisë 7 muaj më parë.
Nuk besoj se është e nevojshme në këtë pikë, por po sqaroj sidoqoftë se nuk kam pasur asnjë konflikt me kallëzuesin gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në atë detyrë, siç nuk kam pasur asnjë konflikt me asnjë person në varësine time.
Ky fakt besoj e thotë vetë të vërtetën që konflikti në fjalë, nuk ka pasur asnjë lidhje me mua apo detyrën time. Padyshim do të kishte qenë me e mira që të mos kishte ndodhur, por nganjëhere zhvillimet e padëshiruara në marrëdheniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim. Por e përsëris që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore, me funksionet e institucionit që kam drejtuar dhe me mua personalisht. Ndërkohe e mirëkuptoj me keqardhje faktin se pikerisht për shkak të detyres dhe angazhimit tim publik, nje ngjarje e 5 muajve të shkuar bën sot lajm për arsye qe nuk janë në tagrin tim institucional t’i komentoj.
Ndjesë kujtdo që mund të jetë shqetësuar nga ky lajm, por kushdo të jetë i bindur se s’ka asnjë të vërtetë tjetër nga sa rendita më lart."
Newsbomb.al ka zbardhur ekskluzivisht këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në rrugën "Tefta Tashko Koço", ku drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) është kërcënuar dhe qëlluar me thikë nga Andri Ibrahimaj, burri i ministres Delina Ibrahimaj.
Rasti është kallëzuar dhe në Policinë e Tiranës, në Komisariatin Nr.1 nga shtetasit E.K, por institucionet kanë heshtur. Me kërcënime dhe ndërhyrje të shumta "nga lart", kallëzimi i Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave është pluhurosur në sirtare.
Prokuroria e Tiranës ka marrë materialet proceduriale të referuara nga blutë e kryeqytetit, por ka vendosur që të pushojë çështjen. Nga ndikimi dhe influenca e fortë e njerëzve të përfshirë në ngjarje vetëkuptohet dhe vendimi i organit të akuzës.
Arsyeja e këtij konflikti që degjeneroi deri në përdorimin e thikës nga ana e burrit të ministres socialiste, Andri Ibrahimaj, është pikërisht posti që mban shtetasi E.K si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Atij i është kërkuar vazhdimisht të japë dorëheqjen, gjatë kohës që bashkëshortja e Andri Ibrahimaj drejtonte Ministrinë e Financave.
Agjencia e Trajtimit të Kredive është një institucion në varësi të kësaj ministrie dhe shtetasi E.K nuk ka pranuar që të largohet pas presioneve dhe kërcënimeve.
Një tjetër detaj që thellon skandalin ku është përfshirë Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj. Ky shtetas i ka kërkuar vazhdimisht E.K që të jepte dorëheqjen sepse drejtor do të emërohej një shok i tiji.
Pra, burri i ministres Delina Ibrahimaj duket se de fakto drejtonte Ministrinë e Financave, sepse vendoste se kush do të emërohej dhe kush do të largohej nga detyra.
Përndjekjet ndaj shtetasit E.K janë shtuar përgjatë muajve dhe mëngjesin e datës 20 Nëntor 2023, Andri Ibrahiamj sapo e ka parë duke kaluar në rrugë ka dalë nga lokali ku ndodhej, duke shkuar drejt Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Aty e ka kanosur dhe ofenduar me fjalë fyese, ndërsa ka tentuar dhe ta çojë drejt një ambienti tjetër privat për "t'u sqaruar".
Kur drejtori nuk ka pranuar, referuar dhe kallëzimit të depozituar në Komisariatin Nr.1 në Tiranë, burri i ministres ka nxjerr nga brezi një mjet në dukje prerës dhe e ka qëlluar në pjesën e brinjëve dhe të fundshpinës. Këto goditje ndaj drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive janë provuar dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.