Aktorja Juli Emiri, ka shprehur zemërimin e saj të thellë lidhur me një incident ku babai i saj u plagos rëndë nga një koktej molotovi, që u hodh në drejtim të tij nga një polic gjatë një proteste.
Sipas postimit të saj në rrjetet sociale, Emiri tregon se babai i saj për pak mund të kishte humbur jetën nga flakët, ndërsa ajo dhe të tjerë protestues u përpoqën ta shpëtonin.
"Babi mori flakë dhe unë bashkë me të tjerë u përpoqa ta shuaj. U dogja edhe unë, por pas disa minutash ia dolëm," shkruan ajo.
Emiri shpreh zhgënjimin që policia nuk ndërhyri për t’i ndihmuar, duke përdorur ujin që po përdorej për shpërndarjen e protestuesve.
Postimi i plotë i aktores:
Ky është babi im. Një nga flakëhedhëset që një protestues e hodhi në drejtim të bashkisë, një nga policët ia hodhi babit te këmbët. Babi mori flakë. Unë u sula t’ia shuaj, bashkë me protestues të tjerë. U dogja dhe unë. Pas disa minutash, ku godisnim me ç’të mundnim, flaka u shua. Gjatë gjithë kësaj kohe, policët për asnjë çast nuk na hodhën ujin me të cilin shpërndanin protestuesit.
Babi mund të kishte vdekur sot.
Nga ata që lexojnë këtë status, ka një pjesë që u bëhet qejfi e thonë “mirë t’u bëhet/ç’u duhej të dilnin/vetë hodhën flakëhedhëse(jo babi)”, ka një pjesë që u vjen tmerrësisht keq jo thjesht për babin,por se kuptojnë diktaturën që po u riinstalohet para syve me vrasës gjakftohtë dhe u shtohet forca dhe motivi për ta mposhtur dhe një pjesë që u vjen keq por mendojnë “shyqyr që nuk isha/ja pse nuk duhet dalë në protestë se shiko ç’ndodh” pa e kuptuar sa shpejt do u vijë radha. Kjo pjesa e fundit është ajo që ka mbajtur gjithnjë Shqipërinë zvarrë, të nënshtruar, të pushtuar, të skllavëruar, që sjell e risjell diktaturën në një formë apo në një tjetër, periodikisht. Historia përsëritet aq herë sa nuk zëmë mend!
