Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të martë në aksin kombëtar Levan–Tepelenë, ku, në afërsi të fshatit Fratar, pesë automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Mes tyre ndodhej edhe një kamper me turistë.
Raportohet se, si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve janë turistë gjermanë.
Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas dy prej tyre janë nisur drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Shkak i këtij aksidenti dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën po lëviznin automjetet e përfshira në përplasje.
Po ashtu, bëhet me dije se në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Ky aks rrugor është një nga segmentet me fluksin më të lartë të qarkullimit në jug të vendit.
