
Ekipi i futbollit të Tiranës ka bërë një paraqitje impresionuese ndaj Batumit në Gjeorgji, duke i mundur në shtëpi dhe duke prerë biletën për në raundin tjetër të “Conference League”.
Bardheblutë e nisën mirë sfidën duke e dominuar kundërshtarin në shtëpinë e tij dhe në minutën e 28’, përpjekjet e kryeqytetasve dhanë rezultat me Regi Lushnjan i cili ndëshkoi gjeorgjianët. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të shqiptarëve.
Menjëherë në startin e pjesës së dytë, vendasit e Batum kërcënuan disa herë portën e Tiranës, por gardiani Gentian Selimani bëri mrekullinë me pritjet e tij fantastike. Më pas Tirana mori frenat e lojës dhe në minutën e 78’, Ardit Deliu shënoi golin e dytë dhe të knock out-it duke i çuar shifrat në 0-2.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Kapanadze “trembi” ekipin e Tiranës duke e ngushtuar diferencën në 1-2, por pas 10 minutash shtesë të dhënë nga gjyqtari, bardheblutë arritën të triumfojnë. Tani Tirana do të përballet me një kundërshtar të vështirë në raundin tjetër, atje i presin turqët e Besiktas.