Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.
Në një deklaratë për mediat ajo theksoi se vendimi është marrë pas konsultimeve me subjektet politike dhe shqyrtimit të faktorëve kushtetues dhe organizativë.
“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, u shpreh Haxhiu.
Sipas saj, në takimin konsultativ morën pjesë 15 nga 17 partitë e ftuara, të cilat diskutuan mbi dy datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, 31 majin dhe 7 qershorin. Përfaqësues të disa prej partive më të mëdha konfirmuan gjithashtu se kishte një dakordësi të përgjithshëm që procesi zgjedhor të zhvillohet më 7 qershor.
Zgjedhjet e reja vijnë pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke e futur vendin në një situatë të re krize politike. Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për zgjedhjen e kreut të shtetit, ndërkohë që mandati i presidentes Vjosa Osmani kishte përfunduar në fillim të muajit prill.
