Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë të shkurtër për mediat ka preferuar të mos komentojë në detaje zhvillimet e fundit dhe propozimin e Vjosa Osmanin për presidente, duke theksuar se fokusi mbetet te përpjekjet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Duke folur jashtë sallës së Kuvendit, Kurti u shpreh se mazhoranca do të bëjë maksimumin për të siguruar një zgjidhje, ndërsa theksoi se mbetet për t’u parë nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në procesin e votimit.
“Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, tani ta shohim a do të vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, është shprehur shkurtimisht Kurti.
Situata politike në Kosovë vijon të mbetet e paqartë, pasi opozita ka shfaqur hezitim për t’u përfshirë në seancë, ndonëse ka sinjale të lëvizjeve individuale nga radhët e saj. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar emrin e Vjosa Osmanit për presidente, duke siguruar mbështetjen fillestare brenda grupit të saj parlamentar.
Procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkon një mbështetje më të gjerë në Kuvend, ndërsa dështimi për të arritur konsensus rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Seancat e fundit janë shoqëruar me mungesë kuorumi dhe tensione politike, duke e lënë këtë proces në ngërç.
