Sot, Republika e Kosovës ndodhet në ditë zie kombëtare në nder të akademikut të shquar Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Në Kuvendin e Kosovës po mbahen homazhe në nderim të figurës së tij, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë, ku qytetarët kanë mundësinë të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre për jetën dhe veprën e akademikut.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë shpalljen e 24 prillit si Ditë zie shtetërore në Kosovë.
“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, thuhej në deklaratën e saj.
Rexhep Qosja është varrosur të enjten në një ceremoni familjare, sipas amanetit të tij, pa praninë e politikanëve dhe mediave.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, institucionet dhe qytetarët po i japin sot lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe letërsisë shqiptare.
Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936 dhe u formua si një nga figurat më të rëndësishme të jetës akadamike shqiptare. Ai ishte shkrimtar, kritik letrar, studiues i njohur, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Gjatë jetës së tij, ai la pas mbi 50 vepra në fushën e letërsisë, kritikës dhe studimeve albanologjike. Me romanet, esetë dhe studimet e tij, ai ndikoi thellë në zhvillimin e mendimit letrar shqiptar dhe në mënyrën se si u kuptua identiteti kulturor shqiptar në kohët moderne.
Ndër romanet e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe “Bijtë e askujt”.
I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe shpesh polemik, Qosja nuk hezitoi të hynte në debate të mëdha intelektuale për çështje të identitetit, historisë dhe kulturës shqiptare, duke u shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm dhe më të diskutuar të kohës së tij.
