Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se një marrëveshje vetëm mes Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e mjaftueshme për të siguruar zgjedhjen e Presidentit.
Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti theksoi se “për të pasur sukses zgjedhja e Presidentit, shfaqet e nevojshme që t’i kemi diku 84-85 deputetë, jo 80 ose 81, sepse është rrezik i madh që mungojnë një ose dy dhe s’ia del dot, duhet të shkosh në zgjedhje në prill”.
“Duhet ta kuptoni një gjë, që edhe Vetëvendosja 66, me partnerët me të cilët ka garuar bashkë dhe me pakicat që na janë bashkëngjitur mandej, kur ia shton edhe 15 deputetë të LDK-së, bëhet 81.
Pra, mezi. Edhe 81-shi nënkupton që bash asnjë deputet, as i Vetëvendosjes, as i LDK-së, as i pakicave, nuk bën të dështojë. Ose e thënë më saktë, mund të dështojë një, por jo dy. Prandaj edhe Vetëvendosja me LDK-në nuk është një formulë e sigurtë që ne ta tejkalojmë këtë çështje dhe të mos detyrohemi të shkojmë sërish në zgjedhje”, tha ai.
Ai shtoi se nuk mund të thotë nëse ka më shumë përafrim qëndrimesh me Abdixhikun apo me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, me të cilin u takua një natë më parë.
“Nuk mund të them që kam përafrim më shumë me njërin ose tjetrin, por vetëm e bëra aritmetikën e numrave që është një fakt objektiv midis nesh”, tha ai.
