Një 48-vjeçar shqiptar është arratisur mëngjesin e sotëm nga burgu i Koridhalos në Athinë, rreth orës 08:30.
Shqiptari po vuante një dënim prej shtatë vjetësh e gjashtë muajsh për posedim, shitje dhe transport droge, si dhe për shkelje të ligjit për armët. Shqiptari duhej të lirohej në korrik të vitit 2031.
Sipas mediave greke, arratisja ndodhi gjatë kohës së shpërndarjes së ushqimit. I burgosuri ka arritur të largohet me vrap, ndërsa dyshohet se punonjësit e burgut kishin hapur derën për të nxjerrë mbeturinat nga depoja qendrore e materialeve.
Autoritetet greke kanë nisur një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e 48-vjeçarit. Po ashtu, po hetohen rrethanat që mundësuan arratisjen, si dhe përgjegjësitë e mundshme lidhur me funksionimin e masave të sigurisë në burg.
