Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me nëntë deputetë të tjerë, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Në komunikatën e dërguar për media bëhet e ditur se vendimi KO68/26 e hedh poshtë kërkesën e paraqitur.
“Gjykata, njëzëri, vendosi: TË HEDHË POSHTË kërkesën e parashtruesve të kërkesës; TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Haxhiu dhe nëntë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese pasi deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme.
Përmes kësaj kërkese, ata kërkuan vlerësimin nëse mos pjesëmarrja e këtyre deputetëve përbënte shkelje të Kushtetutës dhe nëse ishte në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

