Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Sali Berisha e la jashtë listave të sigurta, Hysen Kadiu reagon pas triumfit të PD-së në Kavajë: Fitimtarë dalin ata që punojnë me seriozitet

Shkruar nga Newsbomb
Sali Berisha e la jashtë listave të sigurta, Hysen Kadiu reagon pas
Hysen Kadiu dhe Fisnik Qosja

Kavaja vijoi të mbetej blu! Lidhur me rezultatin e shënuar në këtë zonë ka reaguar edhe Hysen Kadiu, demokrati i cili në “Primare” arriti të zgjidhej më i votuari, por Sali Berisha vendosi që ta linte në listat e hapura.

Pas këtij vendimi të kryedemokratit ai u tërhoq nga gara, por kjo nuk e ka ndaluar që të përgëzojë kavajasit për këtë rezultat të shënuar në zgjedhjet e 11 Majit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Kadiu shkruan se Kavaja tregoi edhe  njëherë se përballë çdo vështirësie, triumfon dëshira dhe vullneti i demokratëve për ndryshim.

Ndër të tjera ai nuk ka kursyer as “thumbat” për Sali Berishën duke thënë se Kavaja dëshmoi se edhe përballë atyre që u dhurohen vende në listën e sigurt, fitimtarë dalin ata që punojnë me seriozitet dhe përkushtim.

“Kavaja tregoi edhe një herë se, përballë çdo vështirësie, triumfon dëshira dhe vullneti i demokratëve për ndryshim.

Përballë çdo padrejtësie të kundërshtarit dhe jo vetëm, kavajasit vulosën me votën e tyre fitoren e PD-së. Puna dhe angazhimi i demokratëve të Kavajës dëshmuan se, përballë vështirësive të regjimit dhe lojërave meskine të atyre që u dhurohen vende në listën e sigurt, fitimtarë dalin ata që punojnë me seriozitet dhe përkushtim, pa u përfshirë në lojërat e pushtetit dhe duke u përqendruar te nevoja që kanë qytetarët për ndryshim.

Krenar për Kavajën dhe qytetarët e saj, ata që treguan sot e gjithmonë se demokracia triumfon në qytetin ku nisi lëvizja për ndryshimin e madh të viteve ’90. Një dëshirë dhe vullnet që nuk e ndal dot askush”, shkruan Kadiu.

Ndonëse doli i pari në “Primaret” në qarkun e Tiranës, Hysen Kadiu nuk u fut në listat e mbyllura të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 Majit.

I “zhgënjyer” nga ky vendim, Kadiu në mars njoftoi tërheqjen duke theksuar se nuk do të jetë pjesë e listave të hapura të Tiranës, pasi ndryshe nga sa ishte rënë dakord me drejtuesit e Partisë Demokratike, nuk e kanë futur në listën e mbyllur.

“Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë. I gjithë rrugëtimi im në PD, që nga dita e parë si adoleshent e deri në fitoren e pak ditëve më parë, është i lidhur ngushtë me Kavajën dhe qytetarët e saj, që meritojnë një përfaqësim dinjitoz”, shkruante ai.

Sakaq kujtojmë se në Kavaja në zgjedhjet e 11 Majit arriti që të fitonte përballë socialistëve duke siguruar 10626 vota.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese