Protesta e thirrur nga opozita ka nisur këtë pasdite para ambienteve të Kryeministrisë, ndërsa që në momentet e para organizatorët bënë të qartë se tubimi do të vijojë në formën e një marshimi.
Demokratët janë mbledhur poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku nuk kanë munguar brohoritjet “Rama ik” dhe duartrokitjet e vazhdueshme.
Sipas skenarit të paralajmëruar, pas qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit pritet të marshojnë drejt selisë rozë, në një lëvizje që rikthen në vëmendje protestat e zhvilluara vitin e kaluar në prag të zgjedhjeve të majit.
Në krye të turmës është parë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili këtë herë është shfaqur ndryshe nga protestat e kaluara, pa kollare dhe i veshur në mënyrë më sportive, duke dhënë sinjalin e një marshimi të gjatë në vijim.
Në protestë nuk kanë munguar as të rinjtë me maska në fytyrë, të cilët janë parë të organizuar në grup dhe të udhëhequr nga deputeti demokrat Klevis Balliu.
