Partia e Lirisë do të mbajë këtë të shtunë një nga organizimet e veta më të rëndësishme, në kohën e zhvillimeve që kanë prekur të gjitha strukturat e saj. Kryetari Ilir Meta ka njoftuar mbledhjen e delegatëve për Konventën Kombëtare dhe votimin e 5 prioriteteve të kësaj force politike.
Ngjarja që do të nisë në orën 10.00 të kësaj të shtune në Pallatin e Kongreseve pretendohet se do të jetë një moment që do të shkëpusë lidhjet e Partisë së Lirisë me nepotizmin.
Praktikisht, pritet një "spastrim" i grupit të Monika Kryemadhit e cila e ka drejtuar këtë parti për vite me radhë pasi Ilir Meta pranoi të bëhej President i Shqipërisë. Ditët e fundit, Meta ka pasur kritika të forta ndaj bashkëshortes së tij dhe grupit që e mbështeste.
Ai i akuzon ata se janë "tradhtarë" dhe "sufllaqexhinj" që i janë shitur Prokurorisë së Posaçme, institucion ndaj të cilit kryetari i Partisë së Lirisë ka përdorur një gjuhë tepër të fortë, duke shënjestruar drejtpërdrejt kryeprokurorin Altin Dumani.
Me ndryshimet e reja që do të votohen në këtë mbledhje të Konventës Kombëtare, Ilir Meta nuk do të jetë më kryetar por President i Partisë së Lirisë. Edhe funksioni i nënkryetarit të partisë nuk do të jetë më, por ai do të quhet zëvendës President.
Në garë përballë Ilir Metës sot është Faik Basha, një anëtar dhe kandidat i kësaj force politike për deputet në zgjedhjet e 2021. Ai aktualisht drejton degën e Partisë së Lirisë në Kamzë dhe në këtë garë me Ilir Metën nuk pritet të ketë surpriza, pasi emri i tij duket se është përfshirë vetëm për të legjitimuar procesin.
Pavarësisht se Meta ka deklaruar disa herë publikisht se Partia e Lirisë do t'i japë fund nepotizmit dhe do të jetë një formacion politik ku mund të garojnë të gjithë, me deklaratat e tij ai e ka paragjykuar procesin.
Edhe përse ka thënë se zgjedhjet e reja do të bazohen plotësisht në votimin e delegatëve, ai është shprehur publikisht disa herë se Erisa Xhixho do të jetë zëvendës presidente e Partisë së Lirisë për shkak të kontributit të saj dhe që nuk është "shitur".
© Newsbomb.al
