
Kandidati për president në Maqedoni i Fronti Europian, Bujar Osmani, ka bërë me dije se deri më tani është 40 mijë vota para kandidatit tjetër shqiptar në garë, Arben Taravarit.
Në një deklaratë për mediat, nga ambientet e selisë ku dhe ka shpallur fitoren, Osmani iu drejtua Taravarit duke i thënë që me dinjitet të pranojë humbjen, pasi është vetë populli ai i cili përcakton karrierat e tyre.
“Arben, pavarësisht goditjeve të ulëta patëm një fushatë të ndershme dhe ‘fer’. Që sot me dinjitet të pranohet humbja dhe po ashtu edhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karrierat tona. Duhet të pranojmë këtë vullnet por edhe masazhin që e dërguan shqiptarët dhe të gjitha komunitet tjera”, ka thënë Osmani, i cili deri më tani mban vendin e dytë në listë, ndërsa e para është kandidatja e VMRO-së Gordana Siljanovska-Davkova.
Ndër të tjera Osmani ka falënderuar të gjitha partitë që janë në koalicionin Fronti Europian.
“Shpall fitoren e thellë me mbi 40 mijë vota. Kemi shënuar fitore pothuajse në çdo komunë shqiptare. Gjithandej në republikë, fitore e thellë e Frontit Europian. Urime të gjithëve. Ju faleminderit nga thellësia e zemrës për besimin dhe kjo fitore është e përbashkët”, tha Osmani.