Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Ekonomi

Paga mesatare mujore shkoi në 900 mijë lekë në nisje të vitit, sektori i ndërtimit regjistroi rritjen më të lartë: Kërkesë e lartë për fuqi punëtore

Shkruar nga Newsbomb

Paga mesatare mujore shkoi në 900 mijë lekë në nisje të

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri arriti në rreth 90 mijë lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paga mesatare ka shënuar një rritje prej 9.6%, duke reflektuar vazhdimin e tendencës në rritje të të ardhurave nga puna.

Të dhënat tregojnë se aktivitetet financiare dhe të sigurimit vijojnë të mbeten më të mirat në aspektin e pagave, me një pagë mesatare prej rreth 157 mijë lekësh në muaj. Në vendin e dytë renditet sektori i informacionit dhe komunikacionit, ku paga mesatare arrin në rreth 131 mijë lekë, duke qëndruar ndjeshëm mbi mesataren kombëtare.

Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka regjistruar rritjen më të lartë të pagave gjatë kësaj periudhe. Krahasuar me një vit më parë, paga mesatare në këtë aktivitet është rritur me 22.2%, duke reflektuar kërkesën e lartë për fuqi punëtore dhe zhvillimin e vazhdueshëm të industrisë.

Në kontrast, rritja më e ulët është shënuar në aktivitetet e artit, argëtimit, çlodhjes dhe shërbimeve të tjera, ku pagat janë rritur me vetëm 5.5%, raporton Scan Tv. 

Edhe sipas grupeve profesionale, diferencat mbeten të konsiderueshme. Pagat më të larta regjistrohen tek menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, të cilët përfitojnë mesatarisht  me 136 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, specialistët me arsim të lartë ose profesionistët paguhen mesatarisht 116 mijë lekë, duke u renditur gjithashtu mbi nivelin mesatar kombëtar.

Sa i përket ritmit të rritjes së pagave sipas profesioneve, performancën më të mirë e kanë shënuar zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to, me një rritje prej 15.7%. Pas tyre vijnë punëtorët e profesioneve elementare, ku paga mesatare është rritur me 15.3%.

Të dhënat e tremujorit të parë 2026 tregojnë gjithashtu një përqendrim më të madh të të punësuarve në skajet e shpërndarjes së pagave. Kjo do të thotë se është rritur si numri i punonjësve që paguhen me pagën minimale, ashtu edhe ai i punonjësve me paga të larta. Një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë zhvillim ka pasur rritja e pagës minimale në vend nga 40.000 lekë në 50.000 lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026 me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në tërësi, shifrat tregojnë se tregu i punës në Shqipëri po vijon të shoqërohet me rritje të pagave, megjithëse diferencat mes sektorëve dhe profesioneve mbeten të dukshme.

Paga mesatare mujore shkoi në 900 mijë lekë në nisje të

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese