Dy shtetas kanë humbur jetën nga rrjedhja e gazit në ambientin e shtëpisë së tyre. Policia e Tiranës bën me dije se ka ndërruar jetë pronari i shtëpisë ku ka pasur rrjedhje gazi dhe një familjarë i tij i largët.
Altin Maksuti rreth 47 vjeç dhe shtetasi Vladimir Bengu rreth 56 vjeç kanë qenë në shtëpi dhe nuk e kanë vënë re rrjedhjen e gazit, e cila më pas u ka shkaktuar vdekjen. Kjo është konfirmuar dhe nga stafi mjekësor.
Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth dy orë më parë, në rrugën “Marije Kraja” pranë zonës së Porcelanit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
"Më datë 19.12.2024, rreth orës 17:20, në rrugën “Marije Kraja”, dyshohet se janë asfiksuar nga rrjedhja e gazit, pronari i banesës, shtetasi A.M, rreth 47 vjeç dhe një afërm i tij i largët shtetasi V.B, rreth 56 vjeç, të cilët kanë humbur jetën sipas konfirmimit të stafit mjekësor", njofton Policia.
