Protestat në Tiranë kanë vijuar edhe në ditën e 22-të, ku pas përfundimit të fjalimeve qytetarët nisën marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit. Pjesëmarrja ka qenë e lartë duke qenë se protestës i është bashkuar edhe një pjesë e diasporës, ndërsa policia ka mbajtur nën mbikëqyrje ecurinë e tubimit. Si çdo natë, thirrjet për largimin e qeverisë kanë dominuar atmosferën.
Ndërkohë, një ditë më parë një grup protestuesish qëndruan gjatë gjithë natës përpara Kryeministrisë. Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 persona, të cilët sipas autoriteteve kishin tejkaluar orarin e deklaruar për protestën dhe kishin zënë hapësira publike duke vendosur karrige metalike e sende të tjera.
Veprimet e tyre, sipas policisë, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë cenuar qetësinë publike. Ata po hetohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.
Protesta e djeshme gjithashtu është shoqëruar edhe me një incident tjetër ku sipas një videoje të publikuar, një vajzë e maskuar ka hequr flamurin e Izraelit nga godina e ambasadës në Tiranë, duke shtuar tensionin në atmosferën e protestës.
