Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

A ishte Alfred Dedja dëshmitar kur u copëtua trupi i Jan Prengës? Reagon SPAK

Shkruar nga Newsbomb
A ishte Alfred Dedja dëshmitar kur u copëtua trupi i Jan Prengës?
SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë lajmet që qarkullojnë që Alfred Dedja, që u vra mbrëmjen e djeshme në Ndroq, të jetë dëshmitar i pengmarrjes së Jan Prengës në janar të 2020-ës.

“Personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.

Ky reagim i SPAK vjen pas deklaratës së fortë të Sali Berishës, i cili tha se i shumëkërkuari Altin Hajri ka urdhëruar vrasjen e Alfred Dedjas, i cili u ekzekutua dje në Ndroq.

Edhe pse autor është 27-vjeçar Julian Gjoshi, Berisha thotë se ka qenë Hajri, i cili nisi kunatin e tij për të përfunduar vrasjen. Sipas tij, dje u ekzekutua dëshmitari që ishte i pranishëm në coptimin dhe vrasjen makabre të Jan Prengës.

Kujtojmë që një ditë më parë Julian Gjoshi ka ekzekutuar 50-vjeçarin Alfred Dedja. 50-vjeçari Alfred Dedja, i njohur me pseudonimin “Daku” u ekzekutua pasditen e së dielës nga 27-vjeçari, Julian Gjoshi. E gjithë ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal në fshatin Ndroq, ku 50-vjeçari ishte duke konsumuar kafen.

Julian Gjoshi u fut në ambientet e lokalit dhe hapi zjarr ndaj 50-vjeçarit i cili fatkeqësisht si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, autori arriti të largohej me një automjet tip “Benz ML”, ngjyrë të zezë.

Ashtu si dhe bëmë me dije më herët Julian Gjoshi rezulton të jetë një emër mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare. Përveç precedenteve penale, 27-vjeçari është kunati i Altin Hajrit, i cili rezulton në kërkim nga policia prej 4 vitesh për përfshirjen në zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.

Emri i Julian Gjoshit figuron edhe në përgjimet e aplikacionit famëkeq “SKY ECC” ku kërkohen favor për lirimin e tij nga burgu, pasi ishte arrestuar për “armëmbajtje pa leje”.  Ka qenë pikërisht kunati i tij, Altin Hajri i cili i është futur “mik” te ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj.

Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjes për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese