Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.
Vendimi është marrë dje me propozim të Ministrit të Brendshëm dhe është publikuar sot në Fletoren Zyrtare. “Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.407, datë 06.07.2021, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Lushnjë, z.Fatos Tushe.
Vendimi është marrë pass arrestimit të kryetarit të Bashkisë nga SPAK dhe policia e shtetit, pas hetimeve dhe dyshimeve për abuzime me tenderat publikë, ku bëhet fjalë për 240 milionë lekë të vjetra tender për kanalin ujitës në një fshat të Lushnjës. Tushe akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.
Detyrën e kryetarit të Bashkisë së Lushnjës e merr nënkryetari i Bashkisë, Genti Nushi, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Kur shkarkohet një kryebashkiak?
Ligji nr 139/2015 për vetëqeverisjen vendore neni 62 parashikon dispozitat se kur shkarkohet një kryebashkiak.
"Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë."


