Shtator 1996. Riccione - Rimini. Gjelbërim gjithandej. Ndërtesa e rrugica të bukura. Era e mirë e luleve dhe pastërtia zotëronte në atë vend fantastik. Koleksionistë nga e gjithë Italia ishin mbledhur për takimin e përvitshëm në qëndër të qytezës bregdetare. Lulishtja përpara një hoteli gjigand e luksoz ishte e mbushur plot me tezgat e Bashkisë, të vogla por të sistemuara bukur.
Pulla, kartolina, zarfa të udhëtuar, monedha e kartmonedha pafund të ekspozuara nga koleksionistë të rinj e të vjetër, nga ekspertë apo thjesht të apasionuar pas filatelisë e numismatikës.
Për herë të parë nga Shqipëria në këtë parajsë të panjohur për ne shkuam unë dhe im vëlla Gjergji, për të shoqëruar babain tonë Nikon dhe mikun e tij Artan Lame.
Tan Lamja ishte pak më i madh se ne por rrinte gjithë ditën me babain tonë dhe burra të tjerë në moshë, koleksionistë të Tiranës. Edhe vetë na thoshte : unë duhet të rri me ju e të flasim për femra, dhe një Zot e di pse rri me këta pleqtë e rrjedhur e debatoj për historira e data, për luftëra me shpata, për Turq e Gjermanë, për mbretër e sharlatanë. Moshën e kishte me ne të rinjtë, mëndjen dhe zemrën e kishte me pleqtë.
Tek "Fiera di Riccione" të gjithë pak a shumë e njihnin njëri tjetrin. Niko dhe Tani ishin fytyra të reja. Ngjallnin kuriozitet por çuditërisht u afruan shumë shpejt me të tjerët.
Faktikisht atëherë ishin kohë të vështira për ne Shqiptarët në Itali. Kishte racizëm, mosbesim, frikë dhe rrjedhimisht përbuzje nga shumica e Italianëve.
Niko me Italishten e tij "rrapa zhdrapa" por me buzëqeshjen e madhe që e karakterizonte theu akullin i pari. Tek tezgat tona u afruan kureshtarët e parë. Sigurisht që gjërat që ne shisnim ose shkëmbenim kishin mjaft interes për ta, gjysma e pullave apo monedhave Shqiptare të fillim shekullit ishin shtypur apo prodhuar në Itali.
Im atë Nikua ishte nga ata burra plot muskuj dhe energji që pasqyronin më së miri genet e Xharove. Ish Ushtarak, por sjellja e tij nuk kishte lidhje fare me profesionin. Qeshte, i fliste i pari të gjithëve, i shtrengonte dorën fort dhe madje përqafonte çdo Italian pas 2 minutash muhabet. Ata mbeteshin thjesht të habitur nga ky Shqiptar me pamje dhe fizik boksieri por me një karakter miqësor si të një fëmije 12 vjeç... i gëzuar dhe i lumtur pa ndonjë shkak, pa më të voglin motiv.
Tan Lamja ishte komplet e kundërta. Italishtja merrte notën 10 me yll. I gjatë, elegant, si në veshje ashtu edhe në sjellje, filloi edhe ai të habiste kolegët e tij numizmatë (koleksionistët e monedhave dhe kartmonedhave).
Njohuri dhe studim deri në detaje zotëronte jo vetëm tek paratë por edhe në fushën e militarisë (dekorata e medalje). Kaq shumë habiti disa prej tyre saqë brënda ditës së parë tek tezgat tona filluan të vinin enkas shumë koleksionistë Italianë për të njohur nga afër ekspertin e ri "Albanez". Të gjithë të habitur. Të gjithë të surprizuar dhe të mahnitur.
Të gjithë u larguan duke
blerë/shkëmbyer diçka nga Tani ose duke i lënë kartvizitën.
Njërin prej tyre e kujtojmë edhe sot. Dhe jo pa shkak. Tipi, që sigurisht pas kaq vitesh ja kam harruar emrin, u afrua si çdo koleksionist tjetër duke mbajtur në dorë albume dhe dosje personale. Kostum i çelur linoje, orë, syze dhe këpucët e shtrenjta i kishte kombinuar me një shall tipik aristokrat që mbante në qafë. Komunikimi akademik. Sjellja dhe qasja e një konti të vërtetë.
Ama sapo shkëmbeu fjalët e para me Tan Lamen edhe atë si çdo njeri tjetër e zuri "magjia"...
Tani filloi ti fliste për variante dhe gabime, për prova e monedha të paqarkulluara dhe zotëria në fjalë shqeu sytë. Një buzëqeshje e lehtë e shoqëroi për gati 1 orë rresht teksa fliste me një djalë të ri Shqiptar që ndoshta dinte edhe më shumë se ai vetë mbi koleksione të ndryshme.
Nuk bleu gjë por u sigurua të shkëmbente kontaktet me Lamen.
Babi me Tanin lëvizën për të parë edhe ata ç'bëhej përreth ndërsa unë dhe Gjergji qëndruam tek tezgat, fundja për këtë punë na kishin marrë me vete.
Befas Gjergji vëren dy albume të trasha ngjyrë vishnje tek tezga e tij. Ishin në cep. Nuk ishin tonat. Dikush i kishte lënë aty. Duke qënë se Tani dhe Italiani ndenjën 1 orë në këmbë pikërisht në atë vënd kuptuam menjëherë që ato 2 albume i kishte harruar ai zotni burrë. Me siguri që do kthehet ti marrë thamë të dy dhe i morëm e i futëm poshtë banakut.
Kaloi ca kohë. Niko dhe Tani po vononin, Italiani nuk u duk më.
Ti hap njëherë ti shoh ça kanë brënda - thashë me vete. Albumet ishin me mbulesën e tyre prej lëkure të butë. Kishe qejf ti mbaje në dorë, kaq të bukur e të çmuar dukeshin edhe pa i hapur. Shfletova të parin. Sytë smë besonin, zemra fillojë të rrihte fort e duart të më dridheshin nga pak.
Vetëm monedha floriri. Të mëdhaja. Akull të reja të mbrojtura në qese plastike si faqet e një libri magjik.
Hapa të dytin. Gjergji po më shihte në sy...
Vetëm monedha floriri sërish. Më në fund e kuptova pse ishin aq të rënda.
Heshtje... i mbyllëm e futëm poshtë sërisht.
- Ça do bëjmë... i thashë vllait tim të vogël a thua se doja një përgjigje...
- Më mirë presim babin Raxho... më tha duke ma lexuar se ç'kisha në mëndje...
Kaluan 10 minuta. 20...
Çfarë sikleti. Çfarë situate. Në dorë unë dhe im vlla kishim më shumë se 1 kg flori. E kishim aty. Se dinte njeri. Por ne në Itali nuk kishim ardhur për këtë. Ne mezi kishim pritur të dilnim për herë të parë jashtë shtetit. Dhe shih çfarë na ndodhi...
Më në fund erdhi Tani me Nikon.
Ja treguam. Mbaroi vuajtja ime.
Sigurisht që edhe ata të dy shqyen sytë.
Tan Lamja i tha Nikos nën zë por unë e dëgjova : mund të shkojnë edhe më shumë se 200 milion, madje mendoj se janë gati 300 milion lireta koleksion...
Unë me Gjergjin u pamë në sy...
Morëm leje, u larguam dhe shkuam të ndiznim nga një cigare fshehurazi Nikos.
Tym nxirrnim nga goja.
Tym ishim...
Unë doja ti merrja, ti fshihja, Gjergji thoshte skishim ku ti mbanim, si do ti fshihnim e si do kalonim kufirin me ato vlera të frikshme...
Befas dëgjuam Qëndrën e Zërit të lajmëronte emrin e një zotërie që duhej të paraqitej tek tezgat e Shqiptarëve.
E hodha cigaren në bar dhe e shkela me këmbë. Hajde shkojmë të shohim - i thashë tim vllai. Isha i bindur që do shihja të paktën një njeri të gëzuar tek tezgat tona... shumë të gëzuar madje.
Sapo u afruam pashë që Nikon tim po e përqafonte Italiani më fort nga ç'kishte përqafuar Nikua çdo njeri. Përqafonte Lamen, na puthi e na përqafoi edhe ne të dy të vegjëlve duke na thënë 1000 herë - Grazie... Grazie...
Sigurisht që na ofroi që darkën ta kalonim të gjithë bashkë. Në tryezën e mbushur plot u bënë kryesisht diskutime monedhash por edhe u fol shumë për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
Ai kishte shumë pyetje.
Niko dhe Tani ja dhanë të gjitha përgjigjet.
Kaluan vite. Babi thoshte që sa herë shkonte në Riccione ai tipi i ofronte drekën dhe blinte gjithmonë diçka në shenjë falenderimi.
Niko Xharo dhe Artan Lame nuk janë më. Ata i përkasin një kohe tjetër. Ata ishin dy lloj njerëzish që zor se vijnë më në këtë botë.
E jetuan jetën me vrull, e mbushën plot dhe s'kishin ndër mënd të ndaleshin pa i marrë Ai lart. Përpara kohe...
Ndoshta edhe Ai është koleksionist.
Se di çfarë koleksionon egzaktësisht por ama e kam vënë re që do pranë vetes njerëz të ndershëm, ëndërrimtarë të pandreqshëm, pasionatë dhe energjikë, njerëz të mëdhenj që lënë pas trashëgimi vlerash, lënë pas dashuri... shumë dashuri dhe mirënjohje nga të gjithë.
Ju kujtoj çdo ditë nga pak, sapo marr në dorë një pullë a monedhë...
Erjon Xharo - 29 Maj 2025

