
Një Gjykatë në SHBA ka dënuar me 20 vite burgim 54-vjeçarin shqiptar Agim Çerma, i konsideruar si “Zoti i drogës” pasi akuzohet se dërgonte kokainë nga Kolumbia në Europë me çarter të regjistruar në SHBA.
Agim Çerma i njohur ndryshe me nofkën “Jimmy” u arrestua në Kolumbi në vitin 2021 dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në shtator 2023. Katër të bashkëpandehur kolumbianë gjithashtu u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara dhe tre prej tyre janë deklaruar fajtorë në gjykatën amerikane.
54 vjeçari shqiptar me banim në Kolumbi, u dënua me 240 muaj burg pasi u deklarua fajtor për rolin e tij në trafikun e kokainës përmes avionëve të regjistruar në SHBA.
“Trafikimi ndërkombëtar i drogave të paligjshme përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe ky hetim dhe ndjekje penale çmontojnë një operacion që planifikoi të trafikonte qindra kilogramë kokainë jashtë Kolumbisë”, tha prokurori amerikan Steinberg në gjykatë.
Çerma edhe pse trafikonte më shumë se 2 miliardë dollarë drogë në muaj, ai jetonte me qira, nuk kishte makinë e as celular. Ai u zhvendos në Kolumbi në vitin 2014 së bashku me gruan dhe njërkun e tij, mori një shtëpi me qira në veri të qytetit Barranquilla dhe prej andej filloi rrjetin e tij kriminal.
Lexo edhe: “Jimy, Zoti shqiptar i drogës”, mediat e huaja jehonë trafikantit Agim Çerma
Në këto rrjete të paligjshme janë përfshirë katër policë, një ish-deputet dhe një kontrollor i trafikut ajror. Agim Çerma, i arrestuar në Kolumbi si baron droge, rezulton të jetë i dënuar në vendin tonë me burgim të përjetshëm për vrasje.
Çerma këtë dënim e ka marrë nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë si dhe dëmtimin e makinave të tyre
Në atë kohë, bashkë me Agimin u arrestua edhe i vëllai i tij, Gazmend Çerma, si dhe disa persona të tjerë. Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan. Vendimin e ankimoi në Apelin e Durrësit, por kërkesa iu refuzua.
Në vitin 2012 Çerma është liruar me kusht në rrethana ende të paqarta. Lirimi i tij mban firmën e gjyqtares Parashqevi Ademi. Në 2015-ën, Ademi është arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa ish Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 4 vite burg.
Pasi la qelinë, Agim Çerma u largua drejt vendeve të Europës dhe më pas në vendet e Amerikës Latine ku është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Gjatë viteve të fundit, policia shqiptare me anë të letërporosive u ka kërkuar informacion autoriteteve të huaja për Çermën, pasi edhe në vendin tonë ai dyshohej si i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës.