Nga ILIR XHAFAJ
Teksa vera e nxehtë bashkë me zhvillimet politike po harron të ikë, vjeshta ka nisur vrullshëm në ekranet shqiptare. Sezoni i ri televiziv ka startuar, ashtu sikurse pilotët që tentojnë të kapin sa më parë vijën e finishit. Emisionet “Prime” premtojnë se do dalin përtej bulevardit të institucioneve apo jetës parlamentare.
Revista Newsbomb.al ka intervistuar drejtueset e emisioneve që shfaqen mbrëmjeve në familjet e shqiptarëve, për risitë që ato do të prezantojnë në këtë sezon të ri, intervistat, debatet HARD talk dhe të ftuarit.
Sigurisht, temat e ditës do të kenë rëndësinë dhe peshën e tyre, thonë Erla Mëhilli, Eni Vasili, Beti Njuma, Grida Duma e Pranvera Borakaj, por zotohen se nuk do të lejojnë të “joshen” nga ajo që kërkon shpesh audienca dhe të bien nën nivelin e tyre profesional.
Shqipëria është një vend që prodhon lajme çdo ditë dhe është mjaft e vështirë të bësh një parashikim të personazheve që do të jenë të ftuar, ama të gjitha zonjat që kanë emisionet e tyre në “Prime” shprehen se do u japin zë protagonistëve të lajmit, por jo duke u varur te politika e ditës.
“Ju siguroj që personazhet do të jenë ata që përbëjnë lajm dhe kanë interes për publikun. Thënë ndryshe, në ‘Open’ do të jenë të ftuar personazhe që kanë çfarë të thonë dhe mbajnë përgjegjësi për atë që thonë”, shprehet moderatorja Eni Vasili.
Erla Mëhilli e ka të vështirë të bëjë parashikime, por thekson se të ftuarit që ajo preferon më shumë dhe që do të kenë vendin e tyre në emisionin e saj “Now”, ashtu si në sezonin e kaluar do të jenë personazhe me vizion që flasin për të ardhmen, jo ata që kanë mbetur në vorbullën e të shkuarës.
Ndryshe është Beti Njuma. E ka të qartë se çfarë sezoni e pret me emisionin e saj në Ora News dhe shprehet se nisur nga zhvillimet e kësaj vere të nxehtë, vjeshta do të jetë edhe më përvëluese dhe politika do të jetë kryefjalë e ngjarjeve të ditës. Por ajo këmbëngul se nuk do të mbetet vetëm te politika.
Grida Duma është një prurje e freskët e politikës në televizion, por në sezonin e kaluar në “Top Story”, i cili ishte dhe i pari për të në botën e ekranit, tregoi se nuk ishte në një terren të panjohur dhe arriti të konkurronte fort emisionet e tjera të mbrëmjes. Premton surpriza në këtë sezon të ri që sapo ka nisur dhe për të, madje shkon shumë larg kur paralajmëron se do të ketë ngjarje nga përtej oqeanit.
Pranvera Borakaj duket më pesimiste për politikën dhe zhvillimet në median shqiptare. Nuk i beson shumë “risive” dhe thotë se në media mungon vizioni për të krijuar produkte origjinale që lënë gjurmë në çdo sezon. Te vetja, sfidë ka gjetjen e të ftuarve më të mirë për çdo temë që trajton në “Quo Vadis”.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetepestë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Shtator dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…