Një zjarr u regjistrua në orët e para të mëngjesit, në katin e parë të urgjencës së re të QSUT-së. Fillimisht u raportua se zjarri ka nisur fillimisht në bodrumin e urgjencës së re.
Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë zjarrfikëset të cilat evakuuan pacientët dhe stafin mjekësor. Policia ka dalë me një njoftim zyrtar ku informon se situata është nën kontroll dhe se zjarri është fikur. Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Gjithashtu raporton se forcat e policisë menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar.
Njoftimi:
"Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar."
Për situatën ka pasur edhe një reagim nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, në të cilin thuhet se menjëherë sapo u raportua për zjarr janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar, ndërsa po vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit.
Njoftimi i QSUT:
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.
Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, thuhet në reagim.
LEXO EDHE: Zjarr në urgjencën e re të QSUT-së, evakuohen të sëmurët