
Zjarri që ra mbrëmjen e djeshme në një magazinë në Sovjan të Maliqit ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe financiare.
Pronarët i fermës raportojnë se aty kishin grumbulluar të gjithë bazën e nevojshme ushqimore për stinën e dimrit. Dëmi financiar përllogaritet në miliona lekë.
‘’Afërsisht 6-7 milion kanë humbur. Gurë fare, miell fare, çdo gjë. Zjarrvënie e qëllimshme? Unë nuk ja vë dot gishtin njeriu. Unë nuk isha këtu’’, flet njëri prej pronarëve të magazinës.
Një nga banorët e Sevjanit shton se nëse forcat zjarrfikëse nuk do të kishin mbërritur në kohë, do të digjeshin dhe 4 banesa të tjera.
‘’Po të mos kishte ardhur zjarrfikësja e parë për 5 minuta, do të ishin djegur 4 shtëpi. Shikoji, si janë çati më çati. Ky i zoti i shpisë thotë që nuk kishte korent këtu’’, shprehet njëri prej banorëve të fshati Sovjan.
Zjarri ra në afërsi të mesnatës së djeshme. Zjarrfikëset nga 3 qytete arritën pas disa orësh të neutralizonin plotësisht flakët.