Ditën e sotme, SHÇBA njoftoi për arrestimin e inspektorit të Zjarrfikëses Lorenc Hatia për dhunë në familje.
SHÇBA bëri me dije se arrestoi në flagrancë Inspektorin e PMNZSH në Tiranë, L.H., për veprat penale të “Torturës” dhe “Dhunës në familje”.
“Arrestimi u krye pasi në mënyrë sistematike, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve.
Familjarët lajmëruan në numrin e Emergjencave 112 për akte dhune dhe më pas Inspektori u shoqërua dhe u arrestua nga SHÇBA.
Për të dëmtuarit janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes.
Materialet proceduriale iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhej në njoftim.
Por zjarrfikësi Lorenc Hatia nuk është aspak i panjohur, raporton newsbomb.al.
Ai dy vite më parë u cilësua si heroi pasi shpëtoi Bibliotekën Kombëtare dhe fotoja e tij bëri xhiron e rrjeteve sociale.
Lorenc Hatia luftoi me flakët për të shpëtuar pasurinë e shqiptarëve, Bibliotekën Kombëtare të Tiranës e cila më datë 15. 03 .2017 u përfshi nga flakët në katin e tretë të nëndheshëm, shkruan newsbomb.al.
Lorenc Hatia, 44 vjeç, baba i dy fëmijëve është prej 22 vitesh pjesë e forcave zjarrfikëse, si komandant i tyre.
Ngjarja e sotme i jep fund karrierës së tij në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.